Euro 2020

Saka thyen heshtjen: Nuk ka vend për racizëm, dashuria fiton gjithmonë

Ka reaguar për herë të parë sulmuesi i ri i Anglisë, Bukajo Saka, i cili humbi penalltinë vendimtare në finalen e Euro 2020 ndaj Italisë. Ai ishte një nga tre lojtarët që gabuan nga pika e bardhë për Anglinë, bashkë me Sanço dhe Rashford, dhe që më pas u sulmuan në rrjetet sociale nga tifozët e “Tre Luanëve”.

"Nuk ka vend për racizëm dhe urrejtje në futboll dhe në çdo fushë tjetër të jetës. Dhe kur pjesa më e madhe e njerëzve do të bashkohet për të denoncuar ata që dërgojnë këto mesazhe dhe do ta largojë urrejtjen me xhentilesë, do të fitojmë. Dashuria fiton gjithmonë”, - shkruan Saka në rrjetet sociale, duke thyer heshtjen disa ditë pas humbjes në “Wembley” dhe sulmeve raciste online.

Saka dhe Southgejt. Gazeta Si, 16 korrik 2021

Saka pastaj drejton gishtin kundër platformave sociale, sidomos ndaj Tuiterit dhe Facebook-ut: "Nuk dua që asnjë fëmijë apo i rritur të shohë mesazhet e urrejtjes që kemi marrë këtë javë unë, Markus dhe Xhadon. E dija se çfarë trajtimi do të më bëhej dhe është një realitet i trishtë që platformat sociale nuk bëjnë asgjë për t’u dhënë fund këtyre mesazheve. E ndjej që i kam zhgënjyer të gjithë, por ju premtoj se nuk dorëzohem përballë gjithë këtyre gjërave negative që kam parë ditët e fundit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë