Euro 2020

Sfilata e Italisë ishte e paautorizuar, vendosën Bonuçi dhe Kielini

"Më rezulton se Kielini dhe Bonuçi kanë kërkuar me ngulm mirëkuptimin e forcave të rendit dhe në atë pikë nuk mbetej gjë tjetër, veçse të lejohej gjithçka dhe situata të administrohej në mënyrën më të mirë të mundshme", - ka thënë Prefekti i Romës, Mateo Piantedozi në një intervistë për “Corriere della Sera”, ku jep versionin e tij për festën e kombëtares së futbollit me autobusin e hapur që përshkoi rrugët e kryeqytetit pa asnjë lloj autorizimi.

Federata Italiane e Futbollit në fakt kishte kërkuar që të përdorte një autobus të hapur pas vizitës në kryeministri, por autorizimi iu mohua edhe nga Ministri i Brendshëm, Lamorgeze. Më pas u propozua që të montohej një skenë në “Piazza del Popolo”, ku mund të hipnin lojtarët për të festuar bashkë me tifozët. Por edhe kjo zgjidhje nuk ishte marrë në konsideratë.

Autobusi i Italise gjate festimeve ne Rome. Gazeta SI, 14 KORRIK 2021

"Na siguruan se lëvizja do të bëhej me një autobus të mbyllur, por në fakt erdhi një autobus i hapur dhe me parulla dedikuar kampionëve të Europës”, - ka shtuar Piantedozi, për ta mbyllur me një fjali që lë hapësirë për reflektim: "Uroj që Italia vitin e ardhshëm të fitojë Botërorin dhe për të njëjtat festime do të bisedojmë direkt me futbollistët".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë