Zhorzhinjo, një nga heronjtë e Italisë në “Wembley”, ka dhënë një intervistë për një televizion brazilian, teksa udhëtonte me makinë drejt aeroportit të Fiumiçinos, për të nisur pushimet në Greqi. Mesfushori ka bërë shaka me penalltinë e humbur:
"Ishte gjithçka e sistemuar, e dija që Donaruma do ta priste tjetrën. Unë jap gjithmonë atë që kam për skuadrën, por për fat të keq ndonjëherë nuk mjafton. Humba penalltinë dhe në atë moment m’u përmbys bota, sepse doja t’i dhuroja fitoren Italisë. Për fat të mirë, kemi një fenomen në portë, që më shpëtoi”.
Italo-braziliani Zhorzhinjo, i lindur në Imbituba në shtetin e Santa Catarina, por me nënshtetësi italiane që në vitin 2012, ka shpjeguar zgjedhjen për të luajtur me kombëtaren “axurre”. "Kam luajtur edhe për U-21-shin e Italisë. Pranova sapo më telefonuan. Sinqerisht, e shihja kombëtaren e Brazilit si diçka të largët. Jam rritur në Itali, këtu më janë hapur dyert. Pra, nuk u mendova dy herë.
Pas U-21-shit, kisha luajtur me Italinë vetëm në miqësore. Në nëntor të 2017-ës u grumbullova për ndeshjen shtesë me Suedinë, por në atë kohë më kërkoi edhe Brazili. Edu Gaspar, ish-koordinator i kombëtares braziliane, më tha: 'Jorge, po mendojmë të të grumbullojmë, por nuk të garantoj asgjë. E di që është e vështirë, bisedo me familjen'. Gjithçka u komplikua, ishte ëndrra ime të luaja me Brazilin, por ndjeva që Italia kishte nevojë për ndihmë në atë ndeshje vendimtare me Suedinë.
Kur kam pasur nevojë për ndihmë, Italia më ka ndihmuar, më ka përqafuar dhe nuk do të ndihesha mirë t’i ktheja shpinën. Zemra ime tha 'Jo, Italia ka nevojë për ty'. Pra, bëra atë zgjedhje dhe jam shumë i lumtur”, - është shprehur Zhorzhinjo.
Pastaj kampioni i Europës ka folur edhe për mundësinë e fitimit të “Topit të Artë”: "Jetojmë me ëndrrat. Por do të jem shumë i ndershëm: varet nga kriteret për përcaktimin e këtij çmimi. Nëse flasim për talent, jam i ndërgjegjshëm se nuk jam më i miri në botë. Nëse zgjidhet në bazë të titujve, askush nuk ka fituar më shumë se unë këtë sezon. Si mund të përballem me Mesin, Kristiano Ronaldon ose Nejmarin? Ata kanë karakteristika krejt ndryshe, por e përsëris, varet nga kriteret."
Mesfushori i Çelsit ka treguar pikat e forcës së Italisë: "Mançini ka përshtatur lojën e skuadrës sipas karakteristikave të lojtarëve. Ndihet dora e tij. Himni na prekte të gjithëve ne, grupi ynë është shumë special. E dinim që Europiani ishte shumë i rëndësishëm për rilindjen e kombëtares pas kualifikimit të munguar në Rusi. Italia vuajti shumë nga pandemia, e meritonte këtë kënaqësi. Nuk di si ta shpjegoj më qartë energjinë e skuadrës tonë".
Dhe në fund një mendim për Brazilin: "Me lojtarët që ka, është gjithmonë një nga më të mirat në botë. Numrat janë të qartë. Pëson pak gola dhe dominon ndeshjet. Nuk e fitoi Kupën e Amerikës, por Brazili i ka të gjitha kartat në rregull për të shkëlqyer, për të fituar tituj, shpresojmë jo ndaj nesh (qesh)…".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.