Euro 2020

Nga pritjet e Matarelës dhe Dragit, te mesazhi i Papës, festa pa fund e Italisë

Suksesi në Euro 2020 ka ngritur Italinë në këmbë. Dita pas finales së “Wembley”-t, ku “axurrët” u shpallën kampionë Europe, duke mundur Anglinë me penallti, ishte një festë pa fund. Kombëtarja iitaliane e futbollit është pritur nga një lumë tifozësh në Romë, nga krerët më të lartë të shtetit, ndërkohë që nuk ka munguar as mesazhi i Papa Françeskut, i cili ka ndarë gëzimin për fitoret e Argjentinës dhe Italisë.

Nga takimi me kryeministrin Dragi. Gazeta Si, 12 korrik 2021

Kryeministri italian, Mario Dragi, në takimin zyrtar në “Palazzo Chigi” me kampionët e Europës, është shprehur: "Sot sporti lë shenjë në mënyrë të fuqishme në historinë e kombeve. Sot jeni ju që keni hyrë në histori, me sprintet tuaja, lojën tuaj, me golat tuaj dhe pritjet tuaja". Këtu Dragi ndërpret fjalimin dhe sheh nga Donaruma, duke theksuar: "dhe çfarë pritjesh…". Menjëherë duartrokitje nga të gjithë.

Autobusi me futbollistët dhe stafin teknik të Italisë mezi ka shkuar në “Palazzo Chigi” për takimin me kryeministrin Dragi, pasi turma e tifozëve në rrugë nuk e lejonte. Në një moment autobusi u bllokua në qendër të Romës.

Më parë skuadra kampione takoi presidentin e Italisë, Serxhio Matarela, që ishte i pranishëm në “Wembley”. "Nuk është një ditë fjalimesh, por ditë duartrokitjesh dhe falënderimesh. Komplimente! E merituat të fitoni para penalltive, pasi patët dy handikape të mëdha: luanit në shtëpinë e kundërshtarit dhe pësuat shumë shpejt një gol që do të kishte gjunjëzuar këdo. U shoqëruat nga dashuria e italianëve dhe i keni nderuar ata, siç bëri edhe Mateo Berretini, duke shkuar në finalen e Uimbëlldonit”, - tha Matarela.

Lojtarët e Italisë ndërkohë kanë festuar gjatë me tifozët dhe kanë kënduar bashkë me ta si të çmendur nga autobusi i zbuluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë