Ngjarje

Maqedonia e Veriut mbyll kufirin për punëtorët sezonalë nga Shqipëria, shkak vdekja e një shqiptari në punë

Me një vendim të papritur, Maqedonia e Veriut u ka ndaluar te shtunen hyrjen të gjithë punëtorëve sezonale shqiptarë.

Autoritetet e vendit fqinj kanë mbyllur zyrtarisht kufirin nga Qafë-Thana për punëtorët sezonalë. Lajmi u bë i ditur të premten pasi mbi 50 shqiptarë të cilët do të shkonin drejt shtetit fqinj për punë sezonale, nuk janë lejuar nga autoritetet maqedonase të kalojnë doganën e Qafë-Thanës. Ndërkohë mëngjesin e te shtunës pala maqedonase nuk u ka lejuar hyrjen 150 punonjësve shqiptarë.

Qeveria e vendit fqinj nuk ka dhënë ende një arsye zyrtare, por sipas mediave, vendimi për mbylljen e kufirit lidhet me vdekjen e një shqiptari në Maqedoninë e Veriut.

Sipas raporteve, bëhet fjalë për një punëtor sezonal shqiptar që ka humbur jetën të enjten gjatë një aksidenti në punë. Identiteti i viktimës nuk dihet ende. Mediat thonë se për këtë arsye, punëtorët shqiptarë që hyjnë në mëngjes dhe largohen nga territori i Maqedonisë së Veriut në mbrëmje, nuk u lejuan të hyjnë sepse ata punojnë ilegalisht.

Pas mbylljes së kufirit për punëtorët sezonalë, pala shqiptare është takuar me atë maqedonase për të diskutuar për këtë situatë dhe për kohëzgjatjen e këtij vendimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë