Rosalynn Smith ra në dashuri me Jimmy-n duke e parë atë në një fotografi, ndërsa ajo ishte në shtëpinë e shoqes së saj më të mirë, Ruth Carter. Nga ana tjetër, presidenti i ardhshëm amerikan ishte 3 vjeç kur pa për herë të parë bashkëshorten e tij të ardhshme, e sapo lindur.
Familja Carter dhe Smith ishin fqinj në Plains, në Georgia, SHBA. Por Jimmy dhe Rosalynn e vunë re vërtet njëri-tjetrin ndërsa shkonin në kinema në grup, të ulur në sediljen e pasme të një “Fordi” të vjetër.
Jimmy ishte një oficer në marinën amerikane. Ai menjëherë i kërkoi vajzës që të martohej me të. Rosalynn u përgjigj “jo”, ajo ishte akoma në kolegj dhe i kishte premtuar babait të saj para se të vdiste se do të përfundonte studimet në shkollë.
Ushtari i ri nuk u dorëzua. Ai filloi t’i shkruante asaj, duke i dërguar mesazhe përmes motrës së tij. “Përfundimisht unë ndryshova mendje”, – thotë Rosalynn.
Ata u martuan në 7 korrik 1946. Dhe tani, ata janë sërish bashkë, Jimmy 96 vjeç, Rosalynn, 93, dorë për dore në dhomën e ndenjes së shtëpisë që ata ndërtuan në vitin 1961, po në Plains, ku Carter drejtonte një fermë bujqësore.
Ata portretizohen nga gazeta “New York Times”, duke njoftuar se do të festojnë 75-vjetorin e martesës, “dasma platin”, me një festë të madhe. “Por natyrisht, duke respektuar masat anti-Covid”.
Në perceptimin dhe historiografinë kolektive, demokrati Jimmy Carter konsiderohet presidenti më i çoroditur i periudhës së pasluftës, së bashku me Gerald Ford, kundërshtarin, që ai mundi në zgjedhjet e vitit 1976. Këto katër vjet, nga 1977 në 1981-in, zuri një hapësirë gri, midis demonit Richard Nixon dhe të shkëlqyerit Ronald Reagan.
Megjithatë, sezoni i tij u shënua nga fakte dhe zgjedhje të rëndësishme: prishja me Bashkimin Sovjetik që kishte pushtuar Afganistanin; paqja në Camp David midis Egjiptit dhe Izraelit. Dhe së fundmi, episodi që rezultoi fatal për fatin e tij politik: kriza e pengjeve amerikane në Teheran, Iran.
Edhe figura e Rosalynn duket e zbehur, krahasuar me “pionierin” Eleanor Roosevelt, me sharmin e Jacqueline Kennedy, me vendosmërinë jokonvencionale të Betty Ford.
Megjithatë, Rosalynn ishte Zonja e Parë në histori që mori pjesë në takimet e qeverisë. Gjatë viteve të Shtëpisë së Bardhë, ajo udhëhoqi një fushatë largpamëse për njerëzit me çrregullime mendore. Rezultati ishte një ligj i rëndësishëm, Akti i Sistemeve të Shëndetit Mendor.
Jimmy dhe Rosalynn kanë ndarë për 75 vjet idenë e politikës si një angazhim, edhe fetar, si një shërbim ndaj komunitetit. “Ne u rritëm duke u afruar, duke ndarë gjithçka”, – i tha Jimmy prestigjiozes amerikane “The New York Times”.
Familja dhe jeta publike kanë qenë gjithmonë të përziera. Çifti ka katër fëmijë, John William, James Earl, Donnel Jeffrey dhe Amy Lynn.
Sot ata kanë 28 nipër e mbesa dhe 16 stërnipa. “I fundit është 3 vjeç dhe ne nuk kemi qenë në gjendje ta përqafojmë akoma”, – thonë ata. Cili është sekreti i kësaj harmonie? “Kurrë mos shko në shtrat i zemëruar”, përgjigjen ata me një buzëqeshje.
Vetëm një mosmarrëveshje e hershme mes tyre ka mbetur në analet e marrëdhënies 75-vjeçare. Gjatë një udhëtimi rrugor, Rosalynn nuk foli me burrin e saj. Deri në pikën që i tha djalit të saj, John: “A do t’i thuash babait tënd që të ndalojë se ne duhet të shkojmë në tualet?”.
Pas viteve të harresës, kultura progresive duket se ka rizbuluar “modelin e Karterit”: vlerat etike, vëmendja strategjike, jo vetëm dhembshuria, për segmentet margjinale të shoqërisë.
Gjatë zgjedhjeve paraprake të vitit 2020, kandidatët demokratë, nga Bernie Sanders te Pete Buttigieg, shkuan në një pelegrinazh në Pains.
Deri kohët e fundit, Jimmy zhvilloi një seri “bisedash” çdo të diel në mëngjes në një kishë të qytetit, Maranatha Baptist Curch. Qindra vetë mbanin radhë një natë para takimit, duke fjetur në makinë, vetëm për të fituar një vend.
Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, alternoi citime nga Ungjilli i Shën Gjonit dhe reflektime mbi Kinën, mbi Donald Trump, mbi luftërat (“të gjitha të panevojshme”). Kohë pas kohe, ai fliste drejtpërdrejt me Rosalynn, gjithmonë i ulur në rreshtin e parë: “Ti çfarë mendon?”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.