Euro 2020

Italia në provën e së vërtetës, sot përballë Lukakut me shokë

Italia e këtij Europiani është një skuadër e mirë, një skuadër solide që funksionon në aspektin e lojës dhe rezultatit. Mbrohet mirë, krijon raste dhe shënon. E ka vërtetuar në 4 ndeshjet e deritanishme se ka petkun e një pretendenti për të fituar trofeun, por sfida e vërtetë për Mançinin dhe djemtë e tij është kjo e sotmja me Belgjikën, që luhet në Mynih dhe vlen për çerekfinalet e Euro 2020.

Kundërshtarët në grup të Italisë ishin relativisht të lehtë dhe “axurrët” bindën, kurse në 1/8-at ndaj Austrisë u desh koha shtesë për kualifikimin. Belgjika, kundërshtari i sotëm, është një skuadër e një niveli shumë më të lartë, me disa yje në grupin e saj, edhe pse De Bryjne dhe Hazard janë në dyshim. Përballë është Romelu Lukaku, i cili udhëhoqi Interin në Itali për të fituar titullin kampion. Nëse kalojnë me sukses atë dhe shokët e tij, italianët shtojnë ndjeshëm shanset për të fituar trofeun.

De Bryjne dhe Imobile. Gazeta Si, 2 korrik 2021

Trajneri Roberto Mançini ka në plan të hedhë në fushë nga minuta e parë Federiko Kiezën, ndërsa Kielnin do ta presë deri në minutën e fundit. Nëse kapiteni nuk luan, gati është Açerbi përtë qenë partner i Bonuçit, në krahët e mbrojtjes luajnë Di Lorenco dhe Spinacola dhe në mesufhsë Barela, Zhorzhinjo dhe Verrati. Donaruma në portë dhe në sulm Insinje, Imobile dhe Kieza.

Në krahun tjetër, belgët shpresojnë të rikuperojnë njërin mes De Bryjne dhe Hazard, siç ka pohuar trajnerin Roberto Martinez në konferencë shtypi. Gjasat janë që lojtari i Sitit të luajë titullar për të mbështetur Lukakun në sulm, bashkë me Karraskon. Përpara Kurtua do të jenë tre mbrojtës, Vermalen, Vertongen dhe Aldervireld, të tre me shumë përvojë. Në mesfushë, Toargan Hazard do të pozcioninohet në të majtë dhe Meunier në të djathtë, ndërsa në qendër dyshja Vitsel-Tilemans.

Çerekfinalja tjetër që luhet sot është ajo mes Spanjës dhe Zvicrës, në orën 18:00, në Shën Pietërburg. Zvicra vjen pa kapitenin Xhaka dhe vendin e tij pritet ta marrë Zakaria, pjesa tjetër e skuadrës pritet të jetë ajo që eliminoi Francën pak ditë më parë. Trajneri i Spanjës, Luis Enrike, pritet të besojë te grupi që fitoi ndaj Kroacisë, me Moratën në majë të sulmit, të mbështetur nga Sarabia dhe Ferran Tores.

Çerekfinalet

Sot, ora 18:00

Spanjë-Zvicër

Ora 21:00

Belgjikë-Itali


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë