Ka ndodhur

Video/ Tjetër sherr për shezlonët; në Drimadhes i djegin gjatë natës

Një tjetër konflikt në dukje për shfrytëzimin e hapësirave publike në plazhe është regjistruar në plazhin e Drimadhesit, këtë herë fatmirësisht pa humbje njerëzore, por vetëm me dëme materiale.

Policia njoftoi se gjatë natës janë djegur rreth 60 shezlonë në pronësi të një personi.

Dyshimet e para janë që zjarrvënia është e qëllimshme dhe lidhet me përplasjet e pretendimet për shfrytëzimin e hapësirave publike të plazhit, që në këtë zonë mbulohen nga Bashkia e Himarës.

Ngjarja pason masakrën e ndodhur në Velipojë, ku për të njëjtat arsye mbetën të vrarë 4 persona dhe dy të tjerë u plagosën pas përplasjes me armë për shfrytëzimin e hapësirave publike të plazhit.

Kjo përplasje nxorri në pah vonesat e pushtetit vendor e qendror për të ndarë në kohë hartat e shfrytëzimit të këtyre hapësirave, ndërsa institucionet bënë ping-pong mbi përgjegjësinë e vonesave.

Por si funksionon ndarja e këtyre hapësirave? E thënë në vija të trasha, bashkitë bregdetare identifikojnë plazhet publike dhe me topografët në terren ndërtojnë hartat për shfrytëzimin e tyre nga subjektet private dhe më pas i dorëzojnë të Agjencia Kombëtare e Bregdetit, në varësi të Ministrisë së Turizmit.

Më pas, subjektet e interesuara për shfrytëzimin e këtyre hapësirave aplikojnë përmes sistemin online e-Albania për leje shfrytëzimi. Pas marrjes së lejes së miratuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit subjektet dorëzojnë te bashkitë një kopje të saj, që i bashkëngjitet dosjes së plotë, ku përcaktohen përmasat e hapësirës që jepet për shfrytëzim dhe taksat që rrjedhin nga ky shfrytëzim, të cilat mblidhen nga bashkitë.

Në rastin e Velipojës, dyshimet janë se për familjen Gocaj procesi ka mbetur i bllokuar te leja e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Arsyet mbeten të paqarta, por shqetësim mbi vonesat në këto procedura, kur sezoni turistik pothuajse po hyn në kulmin e tij kanë shprehur edhe biznesmenë të tjerë, ndërsa ka nga ata që pretendojnë edhe për mbivendosje hartash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë