Belgjika ka mundur 2-0 Finlandën në ndeshjen e fundit në grup dhe është kualifikuar për në 1/8-at e Euro 2020 si kryesuese e Grupit B. U desh një autogol i portierit Hradecki çerek ore para fundit që rezultati të zhbllokohej dhe muri skandinav të binte. Pas pak minutash Romelu Lukaku shënoi edhe golin e sigurisë për belgët. Më parë sulmuesit të Interit iu anulua një gol për poziocion jashtë loje.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez, sipas skemës së kompeticionit, do të luajë në Sevilje kundër një prej të tretave më të mira në grupe. Për Finlandën, që e ka mbyllur në vend të tretë, është komplikuar së tepërmi mundësia për t’u ripeshkuar në fazën e 1/8-ve, pasi 2 golat e pësuar ndaj Belgjikës peshojnë shumë.
Finlandë-Belgjikë 0-2
Finlanda (5-3-2): Hradecki, Raitala, Toivio, Arajuri, O'Shaughnesi, Uronen (Alho), Lod (Fors), Sparv (Shuler), Kamara, Puki (Jensen), Pohjanpalo (Kauko). Trajner: Kanerva
Belgjika (3-4-3): Kurtua, Bojata, Denaier, Vermaelen, Trosard (Meunier), De Brujne (Vanaken), Vitsel, Çadli, Doku (Batshuaji), Lukaku (Benteke), E.Hazard. Trajner: Martinez
Arbitër: Byrsh
Shënues: Hradecki 75’(autogol), Lukaku 81’
Kualifikohet për më tej edhe Danimarka. Një fitore ndaj Rusisë, me më shumë se 2 gola diferencë, ka mjaftuar që Kjaer me shokë të zënë vendin e dytë, me golaverazh më të mirë se Finlanda dhe Rusia. Danezët kanë fituar 4-1 në Kopenhagen, duke ia arritur qëllimit të kualifikimit dhe duke i dhuruar emocione publikut në shkallët e stadiumit dhe më shumë akoma shokut të tyre, Kristian Eriksen, që ka kaluar ditë të vështira.
Damsgard realizoi golin e avantazhit për Danimarkën në pjesën e parë, pas një gjuajtjeje shumë të bukur. Më pas Poulsen dyfishoi në minutën e 59-të. Rusia rihapi ndeshjen 20 minuta para fundit, kur Dzuba shkurtoi me penallti, por për 3 minuta Danimarka shënoi edhe dy gola të tjerë me Kristensen dhe Maehle, duke kompletuar “pokerin”. Të shtunën Danimarkën e pret Uellsi, ndërsa Rusia duhet të kthehet në shtëpi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.