Bota

Vetoja e Bullgarisë, Zaev kthehet duarbosh nga Sofja

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nuk mori dot një përgjigje të prerë gjatë takimeve në Sofje për heqjen e vetos së Bullgarisë ndaj anëtarësimit të vendit të tij në BE para samitit të krerëve të diplomacive të BE-së, më 22 qershor në Luksemburg. Kjo veto po mban peng jo vetëm Maqerdoninë e Veriut por edhe Shqipërinë.

Pas takimit në Sofje me kryeministrin bullgar në detyrë, Stefan Janev, kryeministri maqedonas tha se kapërcimi i dallimeve mes dy vendeve është i mundur, por se për këtë nevojitet përkushtim nga të dyja palët.

Kryeministri maqedonas ka paralajmëruar mundësinë që para anëtarësimit në BE, Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën me qëllim që edhe pakica bullgare të jetë pjesë e preambulës së aktit më të lartë juridik në vend. Por ai ka pranuar se nuk ka marrë sinjale pozitive se vetoja do të hiqet përpara 22 qershorit.

“Kemi biseduar për thelbin e problemit përmes udhërrëfyesit dhe propozimit portugez. Neve na takon që të flasim për raportet dypalëshe. Kemi hapa para dhe zgjidhja është e mundur por nuk kemi shumë kohë në dispozicion”, ka deklaruar Zaev pa dhënë detaje tjera mbi rrjedhën e bisedimeve dhe thelbin e kontestit që ka të bëjë me identitetin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe të kaluarën historike, kontestohen nga pala bullgare.

Pavarësisht toneve pozitive, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka bërë të ditur para vizitës së Zaev në Sofje se qëndrimi i Bullgarisë nuk ka ndryshuar dhe se do të vendosë veton për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Kryeministri, Janev tha se Bullgaria mbështet integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, por edhe ai nuk dha detaje nëse pala bullgare po mendon për të hequr veton.

“Për vite, politika e Bullgarisë ka qenë e orientuar drejt mbështetjes së fortë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë. Delegacioni i Zaevit doli me një propozim konkret, të cilin do ta shqyrtojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe profesionale në ditët në vijim”, tha Janev.

Kryeministri maqedonas paraprakisht ka zhvilluar takime dhe me drejtues tjerë të lartë shtetëror bullgarë përfshirë edhe presidentin Rumen Radev, i cili siç ka bërë të ditur presidenca bullgare ka theksuar nevojën për dialog të drejtpërdrejtë dhe të hapur për të arritur përparim real me Maqedoninë e Veriut.

Por, ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i ka thënë Zaevit se “nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje midis Shkupit dhe Sofjes, brezat e ardhshëm të të dyja vendeve do ta urrejnë njëri-tjetrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë