Barbora Krejçikova, 25 vjeç, është kampionia më e re e Roland Garros, turneut prestigjioz francez. Tenistja çeke mundi në finale rusen Anastasia Pavljuçenkova në tre sete, 6-1, 2-6 dhe 6-4. Ajo shkoi të merrte trofeun nga duart e një prej bashkombaseve të saj më të njohura, Martina Navratilovës.
Është një rikthim te suksesi në një Slam për një nga shkollat më të mëdha të tenisit të çdo epoke, asaj çeke, që ka pasur kampionë absolutë kalibri, si Jaroslav Drobni në vitet ‘50, Jan Kodes në vitet ‘70, Ivan Lendl, Martina Navratilova dhe Hana Mandlikova në vitet ’80, pastaj Jana Novotna në vitet ‘90 dhe në mijëvjeçarin e ri.

Finalja nuk ishte e bukur. Rusja e nisi mirë, por më pas Krejçikova fitoi 6 gejme radhazi dhe e mbylli setin e parë për 32 minuta. Në setin e dytë, Pavljuçenkova reagoi me tërbim dhe barazoi, edhe pse pati disa probleme fizike. Në setin e tretë pati më shumë ekuilibër, të paktën deri në 3-3. Më pas Pavljçenkova e humbi përqendrimin dhe çekja shkoi në 5-3, humbi 2 “match point”-e, pastaj 2 të tjerë te 5-4, por ia doli të fitonte ndeshjen pas një ore e 58 minutash.
“Është dita më e rëndësishme e jetës sime, dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Nuk mund të harroj atë që më ka motivuar më shumë, Jana Novotnën, që do të ketë gjithmonë një vend special në zemrën time”, – tha Krejçikova. Jana Novotna, kampione në Uimbëlldon, ka ndërruar jetë në 2017-ën. Ajo ishte trajnerja e Krejçikovës, e cila shtoi: “Kur iku nga kjo jetë, kalova një periudhë të vështirë. Jam e sigurt që më sheh nga lart dhe shpresoj të jetë e lumtur sa edhe unë. Fjalët e fundit që më ka thënë janë ‘argëtohu dhe fito një Slam’”.
Barbora Krejçikova është çekja e tretë që fiton në Roland Garros, pas Hana Mandlikovës dhe Martina Navratilovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



