Humor

Pashë një ëndërr…

U ngrita me nxitim! Ishim vonë me përgatitjet për udhëtimin. Vajza po luante nëpër shtëpi deri në momentin që i thirra: “Vajzë, shko e pyete Prindin Një a është gati për rrugë”.

Nuk ma bëri fjalën dysh. “Prindi Një, Prindi Një – thërriti fort – nxito po më thotë Prindi Dy! Bëhu gati!”

Ishte një ditë e veçantë. Vajza do të takonte pas shumë kohësh
Prindin Një të Prindit tim Dy.

Ashtu me nxitim u bëmë gati në kohë dhe u nisëm. Rrugës relativisht të shkurtër vajzës i vumë në radio Këngën e Prindit Një.

“Kur këndoj për Prindin tim numër 1
për të gjithë prindërat numër 1 kam kënduar…
Ti je det, si det i gjerë, plot me ndjenja ëndërrime
dashurinë për atdhenë
ma rrënjos prindi 1 i ime”.

Nën ritmet e kësaj kënge mbërritëm fillimisht te Prindërit e mi numër Një dhe numër Dy. Bashkë me mallin që kisha ca kohë pa i parë u bëra vërejtje, sepse nuk i takuam sipas rendit ngjitës, por zbritës. Prindi Dy doli na takoi para Prindit Një. Reagova!

“Prindi 2, pse nuk respekton radhën?” – i thashë me një ton të ngritur.

“Kam gjithë jetën që jam Dyshi. Ndjehem i diskriminuar” – m’u përgjigj.

E kaluam të gjithë në heshtje këtë përplasje. Hymë në shtëpi dhe Prindi Një mori telekomandën e ndezi televizorin. Në lajme po transmetohej një protestë e Prindërave Dy, që kërkonin të drejtat e tyre me pankarta në duar: “Duam barazi me Prindin Një”, “Duam drejtësi”, “Edhe Prindi Dy është Prind Njësh!” e të tjera si këto.

“Shiko ça kërkojnë këta?!” – foli si me habi Prindi Një dhe nxitoi të ndryshonte me shpejtësi stacionin.

E kaluam edhe këtë moment. Qëndruam pak sa mblodhëm veten nga rruga dhe iu drejtova Prindit Një të vajzës time.

“Do ikim te Prindi Një i Prindit tim numër Dy?” – e pyeta.

“Po!”- m’u përgjigj shkurt.

Dolëm e u nisëm. Ishte një distancë rreth 100 metra larg për të përshkuar në këmbë. Gjatë rrugës vajza kureshtare më pyet.

“Prindi Dy, ku po shkojmë?” – më tha.

“Te Prindi Një i Prindit tim numër Dy”, – iu përgjigja.

E vura re që nuk e kuptoi mirë herën e parë dhe i ktheva një tjetër përgjigje.

“Po shkojmë te stërnjishi jot!”, i thashë.

Vajza prap s’e kuptoi dhe ashtu në siklet e duke e vrarë mendjen se si t’ja shpjegoja…më doli gjumi. Ishte një ëndërr…

Shkroi Mentor Kasa


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë