Lojëra me Dore

Skandal bastesh në Roland Garros, arrestohet rusja Jana Sizikova

Skandal bastesh në Roland Garros. Tenistja ruse, Jana Sizikova, është arrestuar mbrëmjen e së enjtes, pas përfundimit të sesionit të masazheve pas humbjes së pësuar në turin e parë të turneut parisien në lojën dyshe. Sipas të përditshmes “Le Parisien”, akuza është për trukim të disa ndeshjeve.

Lojtarja 26-vjeçare, që luan në çift me Ekaterina Aleksandrovën, humbi me një dopio 6-1 ndaj dyshes Ajla Tomljanoviç dhe Storm Sanders. Gazeta franceze shkruan se arrestimi i Sizikovës shkaktoi rrëmujë, me shërbimin e sigurisë së turneut që u përpoq të pengonte policët dhe agjentët, të cilët e ndaluan me forcë tenisten ruse, numri 101 në klasifikim.

Jana Sizikova, 26 vjeç. Gazeta Si, 4 qershor 2021

Forcat e rendit kanë konfiskuar edhe kamerën e hotelit të Sizikovës, e cila është në qendër të një hetimi të hapur tetorin e kaluar nga Prokuroria e Parisit për mashtrim dhe korrupsion sportiv me anë të ndeshjeve të trukuara. Në qendër të këtij hetimi nga drejtësia franceze është ndeshja dyshe e turit të parë të vitit të kaluar, kur Sizikova luante në çift me amerikanen Medison Brengëll kundër dy rumuneve Andrea Mitu dhe Patricia Maria.

Nëse rumunet, favorite në atë ndeshje, plotësuan parashikimet, duke fituar 7-6 dhe 6-4, dyshimet lidhen me gejmin e 5-të të setit të dytë. Dyshime që vijnë nga fakti se mijëra euro janë vënë bast nga operatorë të ndryshëm online në vende të ndryshme për fitoren e atij gejmi nga rumunet. Këto të fundit fituan pa problem, sepse kundërshtaret gabuan në të gjithë topat e shërbimit. Në veçanti Sizikova bëri dy dopio faulle dhe fitoi vetëm 1 pikë në gjithë atë gejm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë