Lojëra me Dore

Roland Garros/ Uilliams kalon me vuajtje, shfaqen rastet e para të Covid-19 në Paris

Shfaqen rastet e para të Covid-19 në Paris. Mate Paviç dhe Nikola Mektiç janë përjashtuar nga Roland Garros, sepse kanë rezultuar pozitivë me Covid-19. Fitues të 6 turneve në 2021-shin, çifti numër 1 i tabelës vinte pas suksesit në Romë, por para debutimit ka dalë jashtë turneut francez.

Tenisti i fundit big i ditës së dytë që kaloi turin ishte rusi Danil Medvedev, i cili mundi Tomi Paul 3-6, 6-1, 6-4, 6-3 në ndeshjen e mbrëmjes në Philippe Chatrier. Medvedev pati vështirësi për të gjetur ritmin dhe humbi setin e parë. Më pas rusi gjeti përmasat e fushës, minimizoi gabimet dhe përmbysi gjithçka. Në turin e tretë Medvedev do të ndeshet me Opelkan, i cili eliminoi pas 4 setesh spanjollin Munar.

Danil Medvedev gjatë ndeshjes. Gazeta Si, 3 qershor 2021

Stefanos Tsitsipas e pati më të lehtë për të kaluar në turin e tretë. Greku mundi në tre sete spanjollin Pedro Martinez, me rezultatin 6-3, 6-4, 6-3. Numri 5 në botë do të përballet në turin tjetër me amerikanin Xhon Isner, që vjen pas fitores ndaj serbit Filip Krajinoviç.

Te femrat, Serena Uillimas e pati më të komplikuar nga sa ishte parashikuar kalimin në turin e tretë. Asaj iu deshën tre sete për të mundur rumunen Mihaela Buzarnesku. Ndeshja përfundoi pas 2 orësh e 3 minuta, me rezultatin 6-3, 5-7, 6-1. Ish-numrit 1 në botë i mungoi shërbimi. Pasi fitoi setin e parë 6-3, Serena pati një rënie në mesin e setit të dytë, që e humbi dhe bëri që ndeshja të shkonte në setin e tretë. Por këtu amerikania tregoi forcën dhe e mbylli 6-1. Në turin e tretë Uilliams do të ndeshet me patrioten Daniel Kolins, e cila i la vetëm dy gejme ukrainases Anhelina Kalinina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë