Arsim

Maturantët fillojnë provimet, konsultimet i kanë ndihmuar, por më shumë mësuesit privatë

“Konsultimet na kanë ecur mirë, por prapë për lëndët ekzakte kemi vështirësi. Se duhet të ishim në klasa gjithë kohës”, tregon Albani, një maturant i cili sapo ka dalë nga konsultimi i lëndës së matematikës.
Për të dytin vit radhazi gjimnazistët kanë bërë mësim të alternuar në klasa dhe online, ndërkohë maturantët gjatë muajit të fundit janë kthyer në shkolla për të bërë konsultime.
“Gjatë orëve online nuk kemi mësuar shumë sepse shpesh ngatërroheshim me platformën ku punonim. Unë për vete kam punuar shumë me mësues privat. Besoj se kam marrë njohuritë e nevojshme që nuk do t’i merrja nga mësimi online”, tregon Almeda, një tjetër maturante.
Mësimi privatisht sidomos për lëndën e matematikës dhe gjuhës së huaj është një proces i përdorur prej kohësh nga maturantët. Siç thonë ata, “marrin më shumë njohuri kur punojnë individualisht dhe janë më të përqendruar”.
Pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, maturantët u rikthyen për të zhvilluar mësimin fizikisht në shkolla duke respektuar protokollet antiCovid. Pas rreth 7 javësh shkëputje nga bankat e shkollës ata nisën konsultimet në shkollë edhe pse respektimi i masave dhe ruajtja e distancimit ka qenë e vështirë.

Nxënësit e kanë cilësuar si një vendim shumë pozitiv rikthimin në shkollë jo vetëm për mësimet, por edhe për jetën sociale. Për sa i përket konsultimeve maturantët i shpjeguan Gazetasi.al se përgjithësisht kanë punuar me testet e viteve të kaluara për të parë se si ka qenë logjika e pyetjeve.
“Konsultimet na kanë ndihmuar po më mirë do ishte të bënim mësim në shkolla. Edhe koha që jemi kthyer na ka ndihmuar për edhe me komunikimin me shokët dhe shoqet. Nuk e krahasojmë mësimin online me atë në shkolla”, shpjeguan një grup tjetër maturantësh.
Ndërkaq, përfaqësues të Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) i thanë Gazetasi.al se në provimin e maturës do të marrin pjesë rreth 33 000 maturantë dhe lëndët ku ato shfaqin më shumë vështirësi janë Gjuhë-Letërsia dhe Matematika. Këto probleme janë konfirmuar edhe nga vetë nxënësit të cilët i thanë Gazetës se duke qenë se janë lëndë të rëndësishme dhe me to kanë punuar më shumë se me të tjerat.


Përfaqësuesi i QSHA shpjegoi për Gazetasi.al se struktura e pyetjeve do të jetë me alternativa dhe zhvillim, ndryshe nga viti i kaluar kur pyetjet ishin të gjitha me alternativa.
“Testi do të jetë mesatar dhe do të bazohet në ato koncepte që maturantët i kanë zhvilluar vazhdimisht, marre dhe rimarrë në vite të ndryshme dhe shumë pak në ato që janë zhvilluar në kushte pandemie. Këto të fundit do të kërkohen në nivele të para të vështirësisë”, shpjegon përfaqësuesi QSHA.
Nga Qendra e Shërbimeve Arsimore shpjegojnë se mësimi online ka ndikuar tek maturantët pasi nuk mundëson tërësisht zotërimin e koncepteve siç ndodh në kushte normale të mësimdhënies. Duke qenë se është cënuar ora mësimore, puna në grupe apo praktika, detyrimisht që kanë ndikim në përthithjen e dijeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë