Kupa Magjike për këtë edicion të 22-të të festivalit Kënga Magjike shkoi për Alban Ramosaj, me këngën “Thikat e mia”.
Mes lotësh, Alban Ramosaj tha se e kishte menduar këtë moment dhe nuk mund ta besonte që ishte bërë realitet.
“E kam menduar këtë moment dhe nuk po më besohet akoma, nuk kam fjalë. Dua të falenderoj bashkëpunëtorët, Fifi, Bruno, Flori, çunat të gjithë… të gjithëve që më votuan, por dikë dua të falënderoj më shumë, është ajo që e thashë pak më herët: Mam ku je, kjo është për ty! Është për gjithçka ke bërë për mua, faleminderit”, është shprehur Ramosaj teksa ka marrë çmimin e madh.
Ndryshe nga edicionet e kaluara, “Kënga Magjike” këtë vit kishte vetëm 3 çmime: Best New Artist, Best International Artist dhe çmimin e madh.
Çmimi Best New Artist këtë vit shkoi për grupin Urban Band.
Ndërsa çmimin Best International Artist e rrëmbeu artistja nga Gjeorgjia, Nutsa.
Çmimet janë shoqëruar edhe me polemika. Këngëtari i njohur Flori Mumajesi nuk ka rënë dakord me vendimin e jurisë. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ai është shprehur se kjo është një ndër arsyet pse nuk pranon të jetë juri.
“Koha do ta vërtetojë sa gabim apo të drejtë kishte kjo juri! Për mua që refuzoj të jem në panele jurie je ti fituesi dhe jo vetëm i New Artist”, ka shkruar Flori.
Sistemi i votimit në Kënga Magjike ishte i ndarë në tre pjesë. Artistët votuan për njëri-tjetrin, po ashtu edhe publiku votoi për të preferuarin e tij dhe vota e jurisë e përbërë nga Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti.
Pas 22 vitesh, për shkak të situatës së pandemisë Kënga Magjike, nën moderimin e Ardit Gjebreas dhe Marsela Çibukajt, erdhi e konceptuar ndryshe, jo në Pallatin e Kongreseve, por si një koncert show në studion e “E Diela Shqiptare”.
Me pamjet e mrekullueshme që ofroi skenografia e mjeshtrit italian Gaetano Castelli, Drejtori i Fotografisë, Ivan Pierri dhe regjia nga Aldon Lipe tre netët e Kënga Magjike përcollën emocion e spektakël në ekranin e Televizionit Klan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.