Lajme

Ministrja Nikolla: Nuk po mbyllim shkollat, por klasat kolektive

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, në një konferencë për shtyp ditën e sotme, foli për klasat kolektive dhe synimin për mbylljen e tyre, duke i dhënë në këtë mënyrë edhe një përgjigje opozitës. 

“Klasat kolektive ishin problem edhe kur kjo ministri drejtohej nga opozita. Nuk patën kurajë t’i zbatonin planet. Ne nuk do të heshtim, e dimë që s’mjafton vetëm të flasësh, nuk jam për përgjigjen e radhës së atyre që vetë bëjnë opozitë”, u shpreh ministrja Nikolla.

Sipas saj, nxënësit që mësojnë në klasa kolektive do të transferohen në klasa respektive në shkollat më të afërta me ta, sipas një plani të mirëhartuar.

“Ne nuk kemi synim mbylljen e shkollave por mbylljen e klasave kolektive. E theksoj klasave me nxënës të moshave të ndryshme ku numri i nxënësve është edhe 3 edhe 5. Ndërhyrja jonë ka filluar që vitin e kaluar shkollor. Testuam të gjithë nxënësit për aftësitë në shkrim lexim dhe në bazë të nevojave realizuam programin për përforcimin e shkrim-leximit  pas trajnimit të mësuesve. Ky ishte edhe hapi i parë emergjent. Hapi i dytë ishte një studim rrënjësor i gjithë sistemit të klasave kolektive të shtrirë në gjithë territorin e Shqipërisë. Kemi parë secilën klasë, kemi matur largësinë nga shtëpitë e nxënësve, nga shkollat e tjera më të afërta, kemi parë kushtet e punës në këto klasa, kemi dërguar ekipe të ecin në këmbë rrugët që përshkojnë vetë nxënësit. Kjo punë 8-mujore ka rezultuar në identifikimin e klasave që mund të transferohen në shkolla më të mëdha ku nxënësit do të mund të mësonin me bashkëmoshatarët e tyre jo më në klasa kolektive. Kemi bërë planin e veprimit për të realizuar këtë transferim”, tha Nikolla.    


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë