Arsim

Ulet numri i të diplomuarve

Të dhënat e përgjithshme tregojnë se ka ulje të diplomuarve në të gjithë nivelet arsimore. Gjetjet e mbledhura nga INSTAT, kanë treguar se në vitin shkollor 2019-20, u diplomuan në arsimin zyrtar 98.169 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 5,5 %, krahasuar me vitin shkollor 2018-19.

Ndërkaq, sipas niveleve arsimore, struktura e diplomimeve në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik.

Për arsimin parauniversitar në vitin shkollor 2019-20, në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 33.618 nxënës, nga të cilët 52,3 % ishin djem dhe 47,7 % vajza.

  • Në arsimin e mesëm u diplomuan 31.662 nxënës, duke shënuar një ulje prej 6,9 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në këtë nivel arsimor u diplomuan 51,1 % djem dhe 48,9 % vajza.
  • Në arsimin profesional u diplomuan 4.862 nxënës, 27,7 % më shumë, krahasuar me vitin shkollor 2018-19. Gjetjet tregojnë se të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 15,4 % e të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm.

Ndërsa në arsimin e lartë në vitin akademik 2019-20, u diplomuan në arsimin e lartë 32.889 studentë, duke shënuar një ulje prej 5,7 % krahasuar me 2018-19 dhe të diplomuarit janë më shumë femra.

Dega më e përzgjedhur nga studentët është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 28,7 % ose mbi një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve. Gjithashtu  edhe dega “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” ka qenë  më e preferuara  tek studentët meshkuj, ndërsa për femrat fusha e dytë e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 16,3 % të të diplomuarave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë