Ne rrjet

Greqia pritet të hapë kufijtë për shqiptarët më 14 maj, si do të udhëtojmë

Greqia pritet të hapë pas më shumë se një viti kufijtë tokësorë dhe ajrorë për shqiptarët më 14 maj. Burime nga Ministria e  Jashtme i thonë Gazetës Si se me nisjen e sezonit turistik, vendi fqinj do të lejojë hyrjen e qytetarëve nga vendi ynë, duke hapur pikën kufitare të Kakavijës. Megjithatë, rregullat e kalimit të qytetarëve mësohet se po negociohen nga autoritetet shëndetësore të dy vendeve. “Për të kaluar në Greqi, qytetarët do të duhet të dorëzojnë një tampon, ose një dokument që tregon  se janë vaksinuar apo e kanë kaluar Covid-19”, thonë burimet.

Dokumenti, i cili do të shërbejë si certifikatë vaksinimi, do të printohet nga e-Albania, por nuk është ende e qartë nëse është përditësuar apo përshtatur sipas standardeve europiane. Burime nga Ministria e Jashtme theksojnë se kushtet e sigurisë për lëvizjen e qytetarëve dhe certifikata e vaksinimit i është lënë në dorë Ministrisë së Shëndetesisë. Përveç datës së vaksinimit dhe emrit të vaksinës, certifikata duhet të përditësohet në mënyrë që të përmbajë po ashtu të dhëna për testet seriologjike, në mënyrë që qytetarët të mund të udhëtojnë edhe nëse kanë fituar imunitet në mënyrë natyrale ose nuk janë të infektuar.

Maqedonia e Veriut mësohet se ka përditësuar certifikatën e vaksinimit në mënyrë që të mos ketë vonesa në lëvizjen e qytetarëve me hapjen e kufijve.

Ata që nuk janë vaksinuar nga ana tjetër do të duhet të kenë rezultatet e testit PCR të bërë deri në 72 orë para udhëtimit dhe ata me temperature më të lartë se normalja do t’i nënshtrohen një tjetër testi të shpejtë në kufi. Greqia vendosi një javë më parë që testi i detyrueshëm PCR për hyrjen në Greqi vlen edhe për fëmijët nën moshën pesë vjeç, por nuk është ende e qartë nëse do të hiqet apo jo me hapjen e kufijve.

Pas disa muajsh izolimi të pjesshëm, Greqia ka hequr në prill masat kufizuese për udhëtarët nga BE dhe pesë vende të tjera, përfshirë Serbinë, por jo vendin tonë.

Ndërkohë, kufijtë me Serbinë u hapën në mes  të prillit, falë një marrëveshje të lidhur mes dy vendeve disa javë më parë. Greqia, e cila po përpiqet të shpëtojë sezonin turistik, ka lidhur një sërë marrëveshjesh me vende si Izraeli, Britania, Emiratet Arabe, SHBA dhe Serbia, për të pranuar turistët e huaj vetëm me certifikatë vaksinimi dhe një tampon negativ.

Lajmi i mirë është se së fundmi autoritetet greke njoftuan se do të pranojnë të gjitha certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga Serbia, madje edhe për dozat e vaksinave që nuk janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), të tilla si vaksinat ruse dhe kineze, duke mos kufizuar kështu shqiptarët e vaksinuar me Sputnik apo Sinovac. Shqipëria ka nisur vaksinimin masiv me vaksinën kineze Sinovax dhe planifikon që muajt e ardhshëm të marrë 1 milionë vaksina kineze, duke vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë aktive.

Greqia ka mbyllur kufijtë tokësorë për më shumë se një vit për shqiptarët. Vendimi është vendosur vitin e kaluar, gjatë karantinës së parë në mars dhe prej atëherë zgjatet çdo dy javë. Të shtunën Greqia zgjati deri më 14 maj mbylljen e kufijve tokësore me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,

Vendkalimi kufitar i Kakavijës me Shqipërinë punon nga ora 07.00 deri në orën 19:00 dhe lejohet hyrja e vetëm disa kategorive të caktuara, me test negativ ose me test të shpejtë të bërë nga autoritetet greke. Nga kjo pikë kufitare nuk lejohet kalimi i më shumë se 400 personave në ditë, të cilët janë të detyruar të qendrojnë në karantinë 14 ditë.

Po ashtu Greqia po lejon hyrjen e shqiptarëve për arsye absolutisht të domosdoshme profesionale ose mjekësore, për të cilat kanë edhe vërtetimet e nevojshme, për kamionët transportues, si dhe për tranzit të automjeteve të cilët i takojnë personelit diplomatik, ushtarak ose administrativ të vendeve anëtare të BE-së.

Po ashtu, Greqia ka ndaluar edhe udhëtimin me avionë drejt vendit fqinj, edhe pse para disa ditësh njoftoi se do të lejonte udhëtimet ajrore nga vendet e treta. Të vetmit që mund të udhëtojnë me avion drejt vendit fqinj janë rezidentët, personeli mjekësor, diplomatët dhe punëtorë sezonalë bujqësorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë