Kuriozitete

Robotët ndihmojnë fëmijët me autizëm të rrisin aftësitë shoqërore

Një profesor i Hong Kongut ka zhvilluar një program arsimor duke përdorur robotë për të ndihmuar fëmijët me autizëm të përmirësojnë aftësitë e tyre sociale, pjesë e një iniciative të miratuar nga organizata dhe shkolla.

Programi i quajtur Robot për ndërhyrjen biheviorale të Autizmit (RABI), është krijuar për njerëzit me autizëm midis moshave 3 dhe 18 vjeç dhe synon t’i ndihmojë ata të jenë më socialë dhe të zgjidhin probleme të tilla si konfliktet dhe ngacmimet.

Catherine So, pedagoge e psikologjisë në Universitetin Kinez të Hong Kongut, thotë se më shumë se 1200 fëmijë e kanë përdorur programin që nga fillimi i tij.

“Individët me autizëm kanë motivim të ulët për të bashkëvepruar me të tjerët dhe mbindjeshmëri ndaj botës përreth tyre. Kështu që ne përdorim robotët socialë për t’i mësuar atyre aftësi shoqërore në mënyrë që të zvogëlojmë ankthin e tyre”, tha So.

Robotët i angazhojnë fëmijët me lojëra me role dhe ndërveprim verbal. Një klasë tipike përfshin dy robotë të vegjël që bëjnë skenarë, duke i ndihmuar fëmijët të shohin ndryshimin midis sjelljes së përshtatshme dhe të papranueshme, siç janë zemërimet ose ulëritjet.

Muse Wong, 41 vjeç, tha se vajza e saj 5-vjeçare ka qenë në program për shtatë muaj dhe aftësitë e saj sociale dhe komunikuese janë përmirësuar jashtëzakonisht shumë.

“Ajo ka filluar të ketë një jetë shoqërore më normale”, tha Wong.

Pas bashkëveprimit me robotët, fëmijët inkurajohen të provojnë aftësitë e tyre shoqërore me një profesionist, njeri.

Më shumë se 20 shoqata jofitimprurëse të financuara nga qeveritë dhe shkollat ​​publike në Hong Kong kanë miratuar programin.

“Ne besojmë se RABI mund t’i ndihmojë fëmijët me autizëm të përmirësojnë aftësitë e tyre sociale dhe të sjelljes dhe nga ana tjetër të rrisin cilësinë e jetës së tyre”, tha ajo.

Burimi: Reuters. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë