Partia Demokratike ka akuzuar ditën e sotme kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për mungesë të investimeve në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputetja Albana Vokshi u shpreh se ndonëse fatura e ujit është rritur, qytetarëve të Tiranës u mungon uji në rubineta.
Deputetja demokrate, Albana Vokshi, tha se Veliaj blen makina elektrike, por nuk bën investime në ujësjellës.
“E vërteta është se Ujësjellësi i Tiranës, nën varësinë direkte të Erion Veliajt, ka parà, por në vend që t’i investojë ato për furnizimin me ujë të kryeqytetit, ka blerë këto ditë 5 makina elektrike”, u shpreh Vokshi.
Po ashtu deputetja demokrate e ka cilësuar korruptiv vendimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të marrë makinat elektrike. Sipas saj, makinat elektrike me vlerë gati 40 milionë lekë secila janë blerë te miku i Edi Ramës, Agron Papuli, i cili ka qenë i vetëm në garë.
“Makinat janë blerë te miku i Ramës. Policia i mori makinat me qira tek Papuli”, tha ndër të tjera deputetja Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.