Nga Erion Abule – Gara mes partive politike për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ka nisur e fortë dhe e tensionuar thuajse dy muaj para se të niste zyrtarisht fushata elektorale.
Në një klimë kaq të acaruar mes palëve, nuk kanë munguar përplasjet mes simpatizantëve të subjekteve politike. Në këtë “arenë” incidentesh, janë përfshirë direkt edhe politikanë, deri dhe te Presidenti i Republikës.
E nisim me rastin e fundit, ai dhe më tragjiku, ku fushata në Elbasan u përgjak pas vrasjes së një 56-vjeçari. Pjerin Xhuvani, mjek dhe politikan lokal, ish-drejtues i LSI në Elbasan, i afruar së fundmi me Partinë Socialiste, mbeti i vrarë në një konflikt me armë në lagjen “5 Maji” të qytetit, ndërsa katër persona të tjerë u plagosën, mes së cilëve edhe Xhensila Sota, një efektive e policisë që ndërhyri për të ndaluar konfliktin.

Policia njoftoi se kishte arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes, Arbër Papleka, ish-punonjës i Forcave Speciale, i raportuar nga media si i angazhuar pranë shtabit elektoral të Partisë Demokratike.
Policia deklaroi gjithashtu se kishte shoqëruar disa persona të dyshuar, që kanë dijeni ose lidhje me ngjarjen.
Përplasja me armë dyshohet se lidhet me fushatën zgjedhore, në qarkun ku tensioni ka qenë i lartë prej më shumë se një muaji.
Xhuvani ishte denoncuar më parë nga Partia Demokratike si një nga personat e përfshirë në konfliktin e ndodhur në qendër të Elbasanit Ditën e Verës më 14 mars mes militantëve të PS dhe PD, ndërsa qytetin e vizitonin Rama dhe Basha.
Në fakt, përplasja e parë, u shënua në 12 mars, ku në zyrat e Frymës së Re Demokratike, Bashkia e Tiranës, si pronare e objektit, i kërkonte kryetarit Sali Shehu (Bamir Topi sapo kishte dhënë dorëheqjen pas marrëveshjes së Shehut me PD-në) të lironte zyrat.

Në këtë situatë, u përfshi edhe presidenti Ilir Meta, i cili u përplas fizikisht me policët bashkiakë. Këta të fundit rrethuan godinën e FRD-së, duke shkëputur edhe energjinë elektrike.
Hyrja e personave të paautorizuar u ndalua në godinë, me argumentin se është e amortizuar, por FRD akuzoi se bëhet fjalë për një goditje politike në mes të fushatës.
Presidenti Meta shkoi në mbështetje të FRD-së, ku ndodhi dhe një përplasje me forcat e policisë që po e ndalonin të futej brenda.

Pak ditë më vonë, në 14 mars, një situatë e pazakontë ndodhi në Elbasan. Dita e Verës, nga ditë festimesh u kthye në arenë përplasjesh fizike mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
Shkak u bë axhenda në të njëjtën orë në bulevard e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, të cilët shkëmbyen edhe akuza. Përleshja ishte e dhunshme ku nuk munguan as sharjet e fyerjet mes tyre.
I pari në fakt mbërriti Lulzim Basha, ku për ta pritur ishin mbledhur dhjetëra mbështetës. Pak minuta më pas, në të njëjtën zonë shfaqet edhe kryeministri Edi Rama, i cili u prit me thirrjet kundërshtuese nga mbështetësit e opozitës.
Për Lulzim Bashën, situata u provokua nga kryeministri Rama, i cili sipas tij ishte i shoqëruar nga elementë kriminalë të armatosur.

Katër ditë më pas, në 18 mars, shënohet një incident tjetër, ku kandidati i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, u përlesh me biznesmenin Gjergj Luca, i njohur për mbështetjen ndaj Ramës dhe PS-së. Konflikti mes tyre ndodhi në një lokal, ndërkohë që demokrati e akuzoi biznesmenin se e kishte kërcënuar me jetë.
Si kandidati për deputet i Elbasanit, ashtu dhe biznesmeni, bënë denoncimet e tyre në Prokurori për ngjarjen, edhe pse pak ditë më pas, e konsideruan çështjen të mbyllur në daljet respektive në media.
Luca u mor në mbrojtje nga kryeministri Rama pas konfliktit dhe më herët është cilësuar nga opozita dhe presidenti Meta si oligark pranë Partisë Socialiste. Ndërkohë, në disa qytete të vendit janë regjistruar episode të thyerjes së xhamave të zyrave elektorale të partive.

Një tjetër kandidat për deputet, këtë herë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, u përfshi në një konflikt banal. Në 17 prill, Klodian Doka, 30 vjeç, i renditur i 32-ti në listën e Tiranës, mbeti i plagosur së bashku me dy vëllezërit e tij pas një sherri me disa të rinj të tjerë. Ngjarja ndodhi në Sauk, pranë zyrave elektorale të LSI-së dhe sipas policisë motivi i përplasjes ishte banal.

Një ditë më pas, automjeti i kryetarit të grupseksionit të Partisë Demokratike në Shelqet të Bashkisë Vau i Dejës, Ariston Drini, është djegur gjatë natës.
Mes pistave të hetimit, është edhe ajo e konflikteve për shkak të fushatës elektorale në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Mëngjesin e kësaj të hëne, dy makinat e parkuara para banesës të zyrtarit të Partisë Socialiste në Gomsiqe të Velipojës, janë qëlluar me armë zjarri. David Ndoci, gjatë kallëzimit në polici, ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë.

Ndërsa pasditen e të hënës, u regjistrua incidenti më i rëndë, ai i plagosjes me armë zjarrit të aktivistit të PD, Bledar Okshtuni brenda zyrës elektorale ku punonte në Kavajë.
Për këtë ngjarje, policia tha se ka ndodhur për motive banale dhe ka shpallur në kërkim tre persona: Ndriçim Jonuzi, Dorjan Troplini dhe Markel Shtylla, këta të fundit punonjës të Policisë Bashkiake të qytetit.
Por situata u tensionua edhe më shumë, kur PD dhe kryetari Lulzim Basha deklaruan se ngjarja është një sulm politik i orkestruar nga kryeministri Rama.
Ndërkohë që Partia Socialiste është distancuar nga ngjarja, duke kërkuan vënien para drejtësisë të autorëve.
Kur kanë mbetur edhe pesë ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, situata mes palëve është e tensionuar, si në një luftë për “jetë a vdekje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




