Ngjarje

Si nisi sherri në Kavajë, pezullohen dy punonjësit e Policisë Bashkiake të shpallur në kërkim

Një ditë pas plagosjes së aktivistit të PD në Kavajë, policia ka shpallur në kërkim edhe dy punonjës të Policisë Bashkiake të këtij qyteti: bëhet fjalë për Dorjan Troplinin dhe Markel Shtyllën, të dy 29 vjeç.

Sipas burimeve, mësohet se dy të rinjtë, dyshohet se kanë qenë të pranishëm në momentin e plagosjes së aktivistit të PD, Bledar Okshtunit nga Ndriçim Jonuzi (Tahiri).

Së bashku me këtë të fundit, të shpallur në kërkim, ata akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, të kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, si Troplini, ashtu edhe Shtylla, janë pezulluar nga detyra që mbanin në Policinë Bashkiake të Kavajës.

Burime shprehen se dy punonjësit, kanë qenë të parët që kanë nisur sherrin. Ata kanë hyrë në zyrën elektorale të PD dhe kanë dhunuar fillimisht me grushte aktivistin demokrat. Më pas, ka shkuar Jonuzaj dhe e ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të plagosur në këmbë.

Më herët, Ndriçim Jonuzi, autori i plagosjes së Bledar Okshtunit, ka folur nga arratia. I shpallur në kërkim nga policia, ai thotë se nuk e ka pasur në plan të merret me politikë, duke theksuar se nuk është socialist. “Këtë video e kam për vëllezërit e mi, të rrinë të qetë se as kam ndërmend të merrem me politikë. Nuk jam krenar për atë që kam bërë, si besimtar, Zoti më faltë, por nuk ka lidhje me politikën”, – tha ai mes të tjerash përmes një videoje në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë