Sociale

Karantinë 2 javore për kë vjen nga Greqia e Maqedonia. Në 25 prill emigrantët s’do të votojnë

Komiteti i Ekspertëve vendosi se personat që do të vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut do të vendosen në karantinë 2 javore. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, shpjegoi se kjo masë e re anticovid do të jetë një parandalim për përhapjen e infektimit, ndërsa vjen 1 javë para mbajtjes së zgjedhjeve të 25 prillit dhe 2 javë para festës Pashkëve Ortodokse dhe që duket se do të frenoje ardhjen e emigrantëve nga Greqia.
“Ajo që vihet re në Rajon situata paraqitet ndryshe, ndryshe nga vendi ynë, në fqinjët tanë, në Maqedoninë e Veriut numri rasteve janë shtuar, por edhe i jetëve të humbura, e kjo duket në grafikët e paraqitura. Duke parashikuar faktorët do të merren edhe masat. Mos respektimi nga subjektet elektorale mund të ndikojë në rritjen e rasteve. Festa e Pashkëve do të sjellë edhe ardhje nga vendet e tjera. Kujtojmë se vitin e kaluar, për Pashkë u rritën rastet, dhe numri i jetëve te humbura. Duke pare situatën lokale, ku e zë Gjirokastra, nga dita e nesërme qëndrimi në karantinë 2 javore për personat që vijnë nga Maqedonia dhe Greqia deri më 3 maj,” shpjegoi Rakacolli.
Ndërkaq ekspertët u shprehën se është vlerësuar se nxënësit e viteve të parë dhe të dyta që kanë qenë në mësim online, mund të fillojnë edhe mësimin në klasë.
Duke u bazuar në shifra, situata epidemiologjike sipas ekspertëve të shëndetit duket e qëndrueshme.
Drejtorja e ISHP-së, Albana Fico, tha se ka një rënie të madhe të mesatares ditore të rasteve pozitive me Covid-19. Por përveç kryeqytetit një numër i lartë rastesh është vënë re edhe në Gjirokastër, Berat dhe Korçë.
“Mesatarja ditore e rasteve të diagnostikuara pozitivë ka zbritur në 172, nga mbi 200 që ishte. Numri total i rasteve aktive është 25 668. Mbetet raporti meshkuj-femra 48-52%, ndërsa është ndryshe numri i vdekjeve. Spitalet Covid-3 dhe Covid-4 nuk kanë pacientë për momentin, por janë në gatishmëri të plotë. Një indeks tjetër është edhe ulja e vdekshmërisë, e cila nga 50 në një javë më parë, ka shkuar në 25”, shtoi Fico.
Ndërsa shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj theksoi se është ulur numri i vizitave në banesë. Sipas tij në 24 orët e fundit janë bërë vetëm 33 vizita për Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë