Komisioni i Ekonomisë diskutoi dhe miratoi dy aktet normative të Qeverisë, përmes të cilave iu hap rrugë marrjes së vaksinës kineze, Sinovac. Kostoja e këtyre vaksinave dhe efikastiteti ishin dy shqetësimet kryesore të ngritura nga deputetët anëtarë të këtij Komisioni.
Në lidhje me koston, pyetjet që u ngritën lidheshin me vendimin e Qeverisë për ta blerë vaksinën nga kompania ndërmjetësuese turke dhe jo drejtpërdrejt nga vendi i prodhimit, që është Kina. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli iu përgjigj këtyre pyetjeve. Ajo renditi dy arsye kryesore se përse u zgjodh kompania turke; konkurrencën e ashpër mes vendeve për dozat e vaksinave dhe kostoja e transportit.
“Sfida më e madhe sot është sigurimi i vaksinave. Nuk ka vaksina për të gjithë botën në të njëjtën kohë. Është meritë e veçantë e Kryeministrit sigurimi i vaksinave. E rëndësishme është edhe kostoja e tyre. Por unë ju siguroj që kostoja për ardhjen e tyre nga Kina do të ishte më e madhe se sa vlera që i morëm nga Turqia. Arsyeja pse i morën nga Turqia është edhe se i gjetëm në një kohë shumë të shkurtër”, tha ajo.
Sa për efikasitetin, Rakacolli përsëriti bindjen se vaksina mbron 100 për qind nga rastet fatale, ndërsa e krahasoi vaksinën kineze me vaksinat e tjera, ndërsa rezultatet e ndryshme në lidhje të studimeve i lidhi me metodat e ndryshme që janë ndjekur.
“Në lidhje me efikasitetin kemi dashur të sigurojmë një vaksinë të sigurt. Në lidhje me përqindjet e rezultateve është se kanë të bëjnë me vendin ku është përdorur vaksina, grupin ku është përdorur. Nëse bëhet një studimi, i cili ka njerëz të vaksinuar, apo ku incidenca e sëmundjes është shumë e lartë, mundësia për ta marrë virusin është më e madhe. Diferenca që dalin nga studimet kanë të bëjnë me vendet ku janë përdorur. Efikasiteti i vaksinës kineze nuk është më i vogël”, tha ajo.
Zv.ministrja tha se autoritetet synojnë që brenda muajit maj të jenë vaksinuar 500 mijë qytetarë, objektiv për të cilin Kryeministri Edi Rama ka vendosur fundin e muajit qershor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




