Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi se pavarësisht situatës pak më të zbutur të rasteve të infikimit, do të mbeten në fuqi masat që kanë qenë sa i përket situatës së COVID. Ora policore fillon në 20:00-në 06:00. Kryetarja e Komitetit Mira Rakacolli u shpreh se “masat e propozuara nga komiteti kanë qenë masa efikase dhe ky rezultat vjen edhe si bashkëpunim akoma më i mirë e zbatimit të masave nga qytetarët”.
Sipas saj, do të kemi vazhdimësi të mësimit online të universiteteve dhe të shkollave të mesme me përjashtim të maturave. Fluturimet me Britaninë edhe për këtë 2 javësh mbeten të pezulluara. Vazhdon dhe urdhri për të mos lejuar grumbullime me më shumë se 10 vetë.
Rakacolli ndërkaq tha se grumbullimet e vërejtura gjatë takimeve nga opozita, kanë ngjallur shqetësim, pas do të çojnë në rritje të numrit të infeksioneve dhe fataliteteve. “Jemi të shqetësuar sepse grumbullimet e vërejtura nga subjektet politike do të çojë në rritje të numrit të infeksioneve në të ardhmen dhe po ashtu dhe fatalitete. Bëjmë apel subjekteve politike që takimet elektorale të bëhen në zbatim të rregullave. Vetëm kështu do të mund ta kontrollojmë situatën që këto ndërlikime të mos bëhen shkak për humbje jete”, tha Rakacolli.
Sipas saj, “një nga arritjet më të mëdha është fushata e vaksinimit. Shqipëria në 10 ditë ka zënë vendin e parë në rajon sa i përket ritmit të bërjes së vaksinimit”. “Duke ia kaluar edhe Serbisë e cila ishte e para në rajon. Pavarësisht këtyre arritjeve situata nuk është aty ku duhet të jemi dhe mendohet se masat do të vazhdojnë të mbeten në të njëjtin nivel siç kanë qenë më parë”, tha kryetarja e Komitetit të Ekspertëve.
Ndërkaq drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico gjatë konferencës me Komitetin Teknik të Ekspertëve ka deklaruar se kemi ulje të të infektuarve dhe viktimave nga COVID. “Ka disa indikatorë, incidenca 2 javore ka pësuar rënie, në 179. Pozitiviteti i mostrës është ulur këtë e monitorojmë edhe nëpërmjet numrit. Nga 322 në 142 raste të reja. Numri total i rasteve aktive ka rënë. Nga ana tjetër vëmë re se ka një rritje të numri të bashkive të vogla të prekura, nga 32 në 38. Me prekje dhe infeksion më të lartë te femrat dhe me humbje jete më të lartë te meshkujt. Kemi humbje të jetëve. Totali i vdekjeve në raport me rastet pozitive. Shpërndarja e vaksinës bëhet sipas të gjitha kushteve. Zbatimi i masave është një gjë e domosdoshme”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.