Sasia e konsiderueshme e vaksinave kineze që Shqipëria siguroi përmes marrëveshjes me një kompani turke e ka katapultuar vendin tonë në krye të listës së vaksinimeve për 100 banorë, sipas “Our World in Data”.
Sipas një grafiku të publikuar nga kjo qendër kërkimore dhe analizuese të dhënash, Shqipëria ka kurbën më të fortë rritëse në procesin e vaksinimit për shtatë ditë, nga 28 marsi deri më 3 prill, duke vaksinuar rreth 0.6 qytetarë për 100 banorë.

Krahasuar me vendet e rajonit rritja është edhe më e madhe se Serbia, që ka hyrë në një proces të ngjashëm prej muajsh, ndërsa vendet e tjera si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja renditen shumë më poshtë, duke reflektuar kështu mungesën e vaksinave.
Duke postuar një faksimile të këtij grafiku, Kryeministri Edi Rama thotë se “ne do ta fitojmë këtë luftë me lidership, organizim, këmbëngulje e durim të madh dhe përmes vaksinimit të pandalur masiv, do të kemi një sezon turistik të lehtësuar ndjeshëm”.
Në fund të marsit, Rama njoftoi marrëveshjen me kompaninë turke për vaksinën kineze Sinovac për një sasi prej 1 milionë dozash. Dërgesa e parë prej 192 mijë dozash mbërriti më 25 mars, ndërsa sasia tjetër pritet që të mbërrijë para muajit qershor. Qeveria ka njoftuar gjithashtu se është në pritje të sasive të konsiderueshme vaksinash Pfizer dhe AstraZeneca brenda muajit prill.

Ndërkohë, sa i takon numrit të përgjithshëm të popullsisë së vaksinuar, Izraeli prin në këtë grafik me rreth 60 për qind të popullsisë së vaksinuar, ndjekur nga Britania e Madhe me rreth 50 për qind, Kili dhe më pas SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




