Motosport

Hamilton: Formula 1 është art dhe ne piktorë, në të ardhmen do jem kantautor

“Formula 1 është një formë arti dhe unë ndihem kreativ brenda dhe jashtë pistës”. Fjalë të thëna nga Ljuis Hemilton. Pas garës së Bahrejnit, ku doli i pari, kampioni i botës ka dhënë një intervistë për “Sky Sports F1”, duke prekur tema të ndryshme, që nga muzika e deri tek arti.

Anglezi ka thënë se edhe kalimi i tij nga MekLareni te Mercedesi në vitin 2013 ishte një intuitë artistike: “Më shumë se 90% e personave më thanë të mos shkoja, – tregon Hemilton, – por ishte shansi im për të qenë kreativ, për t’u rritur me një skuadër që ndoshta nuk ishte në majë, por kishte potencialin për ta arritur atë”.

Ljuis Hemilton, kampion bote me Mercedesin. Gazeta Si, 3 prill 2021

Më tej, 7 herë kampioni i botës thekson: “Mercedesi ishte një mundësi për të rikuperuar kohën time dhe të drejtat e imazhit. Nëse nuk do të zgjidhja këtë skuadër, nuk do të bëja gjithë gjërat që bëj sot”. Me skuderinë nga Shtutgarti, Hemilton ka fituar 6 nga 7 titujt në karrierë, në vitet 2014, 2015, 2017, 2018, 2019 dhe 2020 (duke arritur Mikael Shumakerin për titujt e fituar).

Hemilton jashtë piste është një person që dëshiron të provojë gjithçka, në çdo fushë. “Mendoj se jam më i impenjuar se çdo pilot tjetër. Kam eksperimentuar shumë gjëra të ndryshme, me të cilat jam i apasinuar. Ka edhe shumë gjëra që do të doja të bëja, nëse nuk do të ma merrnin kohën garat”.

Kampioni i krahason garat e Formula 1 me pikturat: “Ajo që ne bëjmë është një formë arti. Nuk e di, nëse njerëzit e shohin në këtë mënyrë, por realisht është kështu. Nëse sheh një piktor që kërkon të gjejë pikat për të pikturuar, të njëjtën gjë bëjme dhe ne pilotët. Përpiqemi vazhdimisht të përfeksionojmë makinën dhe besoj se ne krijojmë duke bërë një xhiro me makinat tona.

Hemilton me 2 trofe të fituar. Gazeta Si, 3 prill 2021

Jemi kreativë kur zgjedhim “set-up”-in e veturës, duke kuptuar se çfarë mund të bëhet, duke ridizenjuar timonin, pedalet, sediljen dhe aerodinamikën. Me siguri ka një anë të madhe kreative në atë që bëjmë”.
Ljuis ka folur edhe për pasionin e madh që ka për muzikën, madje në të kaluarën ka regjistruar një pjesë, “Pipe”, bashkë me Kristina Aguilerën.

“Njerëzit nuk e mendojnë kurrë, por unë luftoj kundër ankthit. Bëj muzikë prej shumë kohësh. Nuk kam pasur kurrë si objektiv të publikoj këngët e mia, apo të jem një pop-star.

Më pëlqente të krijoja që kur isha 12-13 vjeç dhe rrija në shtëpi, i bija kitarës dhe pianos dhe shkruaja tekste. Shpesh mendoja se ishin pjesë idiote, që nuk shkonin, por nuk jam dorëzuar kurrë. I bie edhe sot kitarës e pianos dhe është mjaft terapeutike. Kur udhëtoj dhe u vendos ndonjë pjesë miqve të mi, më thonë gjithmonë se duhet të tregoj edhe anën time muzikore. Ndoshta në të ardhmen këtë do të bëj, do ta tregoj më shumë”, – është shprehur Ljuis Hemilton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë