Sërish ndalesa të reja në Evropë për vaksinën kundër Covid-19 nga kompania anglo-suedeze, “AstraZeneca”.
Holanda në fakt, ka vendosur të pezullojë përkohësisht administrimin e ilaçit për të gjitha moshat. Vendimi vjen pas njoftimit për të pezulluar përdorimin e saj për moshën nën 60 vjeç, pas raporteve të reja të efekteve anësore serioze.
Në grupmoshën mbi 60 vjeç, edhe 700 persona mbetën për t’u vaksinuar, sipas skemës së rezervimeve. Sidoqoftë, të gjitha janë anuluar për të shmangur humbjen e vaksinave.
Gjermania gjithashtu ka ndaluar përdorimin e “AstraZeneca”-s për njerëzit nën 60 vjeç të premten.
Të njëjtën linjë kanë ndjekur edhe disa vende të tjera europiane, me pezullimin e përkohshëm të saj.
Ndërkohë, 7 persona kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar nga mpiksjet e gjakut, pasi u vaksinuan kundër koronavirusit me ilaçin anti-Covid “AstraZeneca”, njoftoi këtë të shtunë, Agjencia Rregullative e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore, (MHRA).
Një ditë më parë,vetë MHRA, tha se kishte identifikuar 30 raste të efekteve anësore në lidhje me mpiksjen e gjakut në më shumë se 18 milionë injektime të së njëjtës vaksinë.
MHRA shpjegoi se kishte marrë raporte të 22 rasteve të trombozës venoze cerebrale dhe tetë rasteve të tjera të trombozës, të shoqëruara me mungesë të trombociteve, që nga 24 marsi, nga gjithsej 18.1 milionë doza të administruara. Raportimet për shtatë vdekjet, përfshihen brenda 30 rasteve të sinjalizuara deri më tani.
“Ekzaminimi ynë i thelluar i këtyre rasteve vazhdon”, – tha drejtori i MHRA, June Raine.
Sipas të dhënave të publikuara nga EMA (Agjencia Europiane e Barnave) të mërkurën e kaluar, 62 raste të trombozës venoze cerebrale, janë regjistruar deri më tani në botë, nga të cilat 44 në 30 vendet e Zonës Ekonomike Evropiane (BE, Islanda, Norvegjia, Lihtenshtajni) nga 9.2 milionë doza të vaksinës “Astrazeneca” .
Midis vendeve të tjera, 31 raste të dyshuara të trombozës venoze cerebrale dhe 9 vdekje, u regjistruan në Gjermani; në Francë kishte 12 raste dhe katër vdekje nga 1.9 milionë doza të administruara dhe në Norvegji, pesë raste dhe tre vdekje nga 120,000 doza.
Hetimet për të përcaktuar nëse “AstraZeneca” po shkakton mpiksje të rrallë gjaku vijojnë, ndërkohë që Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ka deklaruar se nuk ka prova që kjo është e vërtetë, duke theksuar se bëhet fjalë për raportime që vijnë si pasojë e shkaqeve natyrore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje