Ngjarje

Dyndje të moshuarish për vaksinim, edhe pa njoftim nga mjeku i familjes

Nga Sorgena Leka – Ndryshe nga dita e parë e vaksinimit masiv në Tiranë, te dy çadrat e ngritura në Sheshin “Skënderbej” janë drejtuar edhe të moshuar që nuk ishin njoftuar nga mjeku i familjes për të bërë dozën e parë të vaksinës. Kjo ka sjellë radhë dhe grumbullim të tyre dhe të shoqëruesve. Aq sa ka bërë që edhe disa prej tyre që e kishin emrin, të kthehen në shtëpi.

“Po ikim sepse është shumë nxehtë dhe nuk rrimë dot më shumë të presim”, tregon Vjollca N., një 64-vjeçare me banim te rruga “Myslym Shyri”, e cila kishte në krah burrin e saj 73-vjeçar që ishte lajmëruar nga mjeku i familjes për të bërë vaksinën.

Ajo tregon se mjeku i familjes e ka marrë në telefon të dielën dhe i ka thënë se bashkëshorti i saj duhet të paraqitet ditën e hënë pranë tendës së vaksinimit për të bërë vaksinën dhe se “nuk kishin nevojë për asnjë dokument”. “Mjeku na tha që vetëm të vijmë se e kemi emrin të shënuar këtu”, thotë gruaja.

Çifti i të moshuarve shpresojnë që në ditët në vijim të ketë më pak radhë dhe të arrijnë ta bëjnë vaksinën sepse kanë shumë kohë që e presin një moment të tillë.

Të njëjtin “hall” ka dhe Drita, 78 vjeçe, e cila tregon për Gazetasi.al se ka vetëm 5 minuta që ka ardhur dhe po largohet për në shtëpi sepse duke pritur për të bërë vaksinën, ka frikën mos sëmuret nga dielli dhe i nxehti. “Kaq fuqi kemi, ne mezi erdhëm deri këtu e tani të presim dhe në diell është shumë për ne”, thotë ajo ndërkohë që nxjerr nga çanta një shall dhe e vendos në kokë për t’u mbrojtur sadopak nga rrezet e diellit.

Një pamje të tillë e shikon tek shumë të moshuar ku dikush ka vendosur në kokë xhupin, dikush një bluzë e shumë të rinj, shoqërues, mundohen t’u bëjnë hije gjyshërve të tyre të cilët janë ulur në stola dhe presin radhën e tyre.

Ato i ndërrojnë vendet shpejt, duke kaluar çdo 3-4 minuta në stolin para, pasi aq zgjat regjistrimi i një personi i cili pasi regjistrohet, kalon në një nga dhomat e tendave për të kryer vaksinimin.

Në radhë nuk mungojnë as të moshuarit që kanë ardhur “për të provuar fatin” pasi akoma nuk kanë marrë lajmërimin nga mjeku i familjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë