Partia Socialiste mbështet edhe publikisht modelin e fletës së votimit me numër në vend të emrit të kandidatëve për deputetë.
Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve, Taulant Balla foli për mediat pas një takimi me drejtuesen e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR në Shqipëri. Ai tha se kërkesa e ODIHR ishte një fletë votimi sa më e thjeshtë që të reduktojë numrin e fletëve të pavlefshme dhe iu referua modelit të fletës së votimit në Kosovës, ku kandidatët janë me numra, si një prej tyre.
“Sa më e thjeshtë dhe e kuptueshme për qytetarët të jetë fleta e votimit, aq më e pakët është mundësia që qytetarët të bëjnë një fletë votimit të pavlefshme dhe modeli i fletës së votimit në Kosovë është një model perfekt”, tha Balla.
Përfaqësuesi i PS-së vuri theksin edhe tek nevoja e korrigjimit të Kodit Zgjedhor për të ndryshuar sistemin e numërimit.
“Ne kemi një sistem numërimi ende me numërues partiakë, që do të thotë se partitë e vogla nuk kanë mundësi përfaqësimi”, u shpreh ai.
Balla akuzon PD se vonoi proceset zgjedhore përmes paraqitjes së numrit të kandidatëve përtej parashikimeve të Kodit Zgjedhor.
“Është një histori që thjesht ka krijuar vonesa të pakuptimta ndërkohë që matematika e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor është e qartë”, shtoi ai.
Akuza drejt opozitës hodhi edhe për pengim të dhënies së mundësisë për të votuar emigrantët.
“Partia Demokratike dhe LSI bënë gjithçka që kishin mundësi që të mos i linin shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë që të votojnë. Bllokuan të gjithë vendimmarrjen, që nga 1 janari dhe në fund nuk kthyen asnjëherë përgjigje. PD dhe LSI duhet të mbajnë përgjegjësinë e plotë të një bllokimi të pakuptimtë të një hapi që Shqipëria duhet të kishte hedhur që në këto zgjedhje”, tha Balla.
Sa i takon zhvillimit fushatës dhe masave kundër pandemisë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së tha se mazhoranca është duke i respektuar masat dhe ligjin me përpikmëri dhe akuzoi sërish opozitën për shkelje të tyre.
“Zgjedhje janë bërë në kohë pandemie në 10 vende europiane dhe ajo ç’ka e bën ndryshe në Shqipëri është thyerja e rregullave nga një partie politike. Marrëdhënia e Lulit me ligjin është një marrëdhënie që nuk ka shkuar kurrë”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.