Komiteti Teknik i Ekspertëve të mërkurën shpjegoi se si po vijon situata epidemiologjikë në vend, gjithashtu përcaktoi se masat aktuale do të mbeten në fuqi edhe për 2 javë të tjera.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli bëri apel që të respektohen masat gjatë fushatës zgjedhore. Ajo u shpreh se vendi po hyn në fushatë zgjedhore dhe në vëzhgim të vendeve të tjera që kanë zhvilluar zgjedhje në kohë pandemie është kuptuar se kur masat janë zbatuar nuk ka pasur tendencë rritje të infeksioneve.
“Qytetarët të zbatojnë masat mbrojtëse, të ndalojnë grumbullimet, të mbajnë maskat dhe të ruajnë distancën,” shtoi Rakacolli.
Zëvendësministrja shtoi se studentët kanë kërkuar kthim në auditore, por kjo varet në përputhje me nivelin e indikatorëve, të cilat sipas autoriteteve nuk janë ende në atë stad për të hapur auditoret.
Më tej Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tha se shifrat janë ulur por jo në ato nivele për të lehtësuar masat. Sipas të dhënave Covid-19 ka ndikuar në fatalitetet më shumë tek meshkujt se sa tek femrat.
“Numri mesatar i të shtruarve në spital ka rënë në 394 nga 466, edhe pse kemi vazhduar me vaksinimin duhet ta kemi të qartë që indikatorët nuk janë ulur në një mënyrë drastike për të marrë masa të një karakteri tjetër. Edhe harta e Europës tregon për një rritje të numrave, prandaj doja të apeloja për qytetarët që të mbajnë maskën, distancimin, respektimi i rregullave dhe masave të ndërmarra, dhe nga ana tjetër të mos harrojmë”, shpjegoi Fico.
Ndërsa Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se ka rënie të misioneve të urgjencës dhe theksoi se qytetarët duhet t’ju përmbahen masave ndaj Covid-19
“Ka pasur ulje të numrit të thirrjeve, sa i përket urgjencave. Ka vazhduar edhe numri i misioneve në përgjithësi dhe numri i misioneve për Covid që ka rënë nën 500. Janë trajtuar mbi 9000 misione në banesë. Përhapja e infeksionit nuk ndalon dhe ndaj duhen masa ndaj koronavirusit”, shtoi Brataj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.