MekLaren është në kërkim të Hemiltonëve të rinj dhe sapo ka vënë një “bast” të fortë. Skuderia nga Uoking ka nënshkruar një kontratë me kampionin europian të “karting”, Ugo Ugoçuku, i cili është vetëm 13 vjeç.
Ashtu si 7 herë kampioni i botës, që në moshën 13-vjeçare e mori në patronazh Ron Denis, edhe djaloshi Ugo, fitues i shumë garave dhe titujve në Amerikë dhe në Europë, do të vëzhgohet me kujdes në hapat e ardhshëm nga përfaqësuesit e MekLarenit. Daniel Riçardo dhe më shumë Lando Norris, tashmë janë të paralajmëuar…

“E kemi ndjekur me shumë interes progresin e Ugos dhe sapo na është dhënë mundësia, nuk kemi hezituar për të firmosur një marrëveshje. Tani jemi të gatshëm t’i japim atij të gjithë mbështetjen e nevojshme, në mënyrë që ai të tregojë potencialin që ka”, – ka thënë Zak Braun, një nga drejtuesit e MekLarenit.
Shpresat janë që të përsëritet rasti i marrëveshjes me Ljuis Hemilton në vitin 1998 nga MekLaren. Intuita nuk gënjen dhe të dyja palët besojnë shumë për një të ardhme të artë.

“Jam i nderuar që po firmos për një skuadër kaq prestigjioze në një fazë kaq të hershme të karrirerës. Të kem besimin e MekLaren është fantastike, është ëndrra e çdo piloti të ri. Tani jam i përqendruar që të rritem sa më shumë si pilot profesionist. Fakti që kam MekLaren pranë do të më ndihmojë shumë në pistë dhe jashtë saj”, – është shprehur 13-vjeçari Ugo Ugoçuku.
Andreas Seidl, një nga drejtuesit kryesorë të MekLaren F1, ka theksuar: “Ugo është një talent që premton shumë për një rritje të shpejtë. Edhe pse është në fillim të karrierës, është e qartë se ka një potencial të jashtëzakonshëm për të pasur sukses në këtë sport. Akordi me të tregon qartë qasjen tonë për zbulimin dhe mbështetjen e talenteve si ai. Kemi një program enkas për të, jo thjesht përfshirjen e tij në fidanishten e pilotëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




