Kombetarja

Marash Kumbulla: Tani të gjithë më pyesin për Shqipërinë

Marash Kumbulla ishte një nga protagonistët e numrit të fundit të “Sportweek” në versionin print. Mbrojtësi i Kombëtares dhe Romës, ka dhënë një intervistë të gjatë, ku flet për kulturën shqiptare, vendin tonë, futbollin italian dhe Kombëtaren. Ja dhe intervista e plotë e mbrojtësit kuqezi.

Krenarinë e të qenit shqiptar ia lexon në sy, kur ambasadorja shqiptare në Romë, Anila Bitri, i tregon për zbarkimin e më shumë se 20 mijë shqiptarëve në vitet ’90, në brigjet e Puljas. Ishte 7 marsi i 1991-shit, ndërsa 5 vite më pas në Itali shkoi edhe babai i tij, Lini, duke sfiduar detin për një të ardhme ndryshe të familjes. Ndoshta edhe për këtë arsye Marash Kumbulla ndjen detyrimin për të bërë gjithçka për Shqipërinë.

Kumbulla dhe ambasadorja shqiptare në Romë, Anila Bitri. Gazeta Si, 20 mars 2021

“Dua të jem një shembull, të ndihmoj shqiptarët që jetojnë në Itali, – thotë lojtari i Romës. – Më pëlqen të jem një pikë referimi për shumë të rinj dhe shpresoj me zemër t’ia arrij qëllimit”. Kur ambasadorja Bitri i bën me dije faktin se të rinjtë si ai janë produkti më i mirë i kryqëzimit të dy kulturave të ndryshme, Marashi kupton se ka më shumë përgjëgjësi sot dhe në të ardhmen.

Si ndiheni që përfaqësoni pak Shqipëri në Itali?
Kam lindur dhe jam rritur në Itali, kulturën italiane e kam brenda vetes dhe jam i lumtur. Por në shtëpi natyrisht kam fituar edhe atë shqiptare, atë të familjes. Duke i bashkuar të dyja, mund të lindë një e ardhme e re për Shqipërinë.
Duke jetuar larg, a keni pasur probleme integrimi në aspektin social në vendin tuaj?
Asnjëherë, edhe pse familja ime është me origjinë nga Shkodra, veriu i Shqipërisë. Kam mësuar gjuhën e prindërve të mi, që është një dialekt. Kur shkoj në Kombëtare, me disa shokë skuadre që janë nga jugu, mezi kuptohemi. Dhe kjo është argëtuese, bëjmë shumë shaka.

Marash Kumbulla dhe Kristiano Ronaldo. Gazeta Si, 20 mars 2021

E ndjeni largësinë nga vendi juaj?
Nuk jam ndjerë kurrë larg, edhe tani që për shkak të impenjimeve kam më pak kohë për të shkuar në Shqipëri. Kur isha i vogël, shkoja për pushime te gjyshërit, rrija edhe një muaj e gjysmë aty dhe ishte shumë bukur. Kur jam në Kombëtare, e përjetoj gjithçka shumë mirë.
Na tregoni pak për vendin tuaj në Shqipëri?
Vitet e para shkoja në Lezhë, në det, gjyshërit u transferuan aty. Pastaj morëm një shtëpi në Shkodër dhe jetuam më shumë në qytetin e origjinës. Qytet i veçantë, me qendër të vogël dhe i shtrirë në periferi. Është bukur, pranë detit është liqeni, peisazhe interesante. Pjata e preferuar? Trileçja, një ëmbëlsirë tipike me qumësht.

Shqipëria prej kohësh pret të hyjë në BE, është një vend në rritje…
Vitet e fundit shumë miq dhe të njohur më kërkojnë informacion për plazhet dhe detin. Kam kuptuar që turizmi në vendin tim është në rritje, aq sa mund të lejojë Covid-i. Deri pak vite më parë askush nuk më pyeste për këtë gjë.

Marash Kumbulla dhe e fejuara e tij, Greta, gjatë karantinës. Gazeta Si, 20 mars 2021

Ju e kaluat vetë Covid-in. A do ta fitojmë këtë betejë?
Ishte një përvojë e hidhur, edhe pse unë nuk e kalova keq, isha vetëm pak i lodhur ditët e para. Me më shumë se 100 mijë të vdekur është qartë se është një nga momentet më të vështira të historisë së Italisë. Herët a vonë, do ta kalojmë, kam parandjenjën se zgjidhja e problemit nuk është aq afër sa shpresohet.
Do të ndryshojë edhe bota e futbollit, më pak investime dhe më pak pasuri për të gjithë…
Covid-i ka pushtuar botën, jo vetëm futbollin. U pa qartë në merkaton e fundit, me pak transferime dhe më pak investime në krahasim me të kaluarën. Do të jetë kështu edhe për pak kohë.

Kumbulla, duke firmosur për Romën. Gazeta Si, 20 mars 2021

A e ndjeni përgjegjësinë e të qenit një pikë referimi për shqiptarët?
Po, por nuk mendoj shumë për këtë. Përgjegjësia ka raste që të çon në gabim, ndaj dhe nuk dua ta mendoj shumë. Kur ka më pak presion, gjithçka bëhet më mirë.
Në këto 30 vjet patriotët tuaj kanë përjetuar fluksin e emigrimit. A është bota unike?
Babai më ka folur për kohën e zbarkimit në Itali, edhe rastin e tij, për vuajtjet, rreziqet. Në fillim e mendoja diçka të çuditshme, isha i vogël dhe nuk e kuptoja. Tani trishtohem kur e mendoj, më vjen keq që familja ime ka vuajtur. Dhe kur mendoj se çfarë kanë përjetuar shumë shqiptarë, ndjej përgjegjësinë për të cilën folëm më parë. Dua që të jem djali më i mirë i mundshëm për familjen time, që t’i kthej atë që më ka dhënë, duke rrezikuar jetën.

Marash Kumbulla në grumbullim me Kombëtaren. Gazeta Si, 20 mars 2021

Jemi në prag të eliminatoreve të “Qatar 2022”. Shqipëria nuk ka shkuar kurrë në një Botëror…
Është ëndrra ime më e madhe. Jemi një vend i vogël dhe është e vështirë, por ne shqiptarët jemi të fortë, jemi një popull patriot dhe e mbulojmë gjithçka me karakterin dhe vullnetin tonë. Grupi ynë nuk është i lehtë, kemi skuadra të forta si Anglia dhe Polonia. Por kur je në fushë, do vetëm të fitosh. Dhe ne duam të fitojmë çdo ndeshje për popullin tonë.
Takohesh me shqiptarë të tjerë në Itali?
Me Strakoshën, Gjimshitin dhe Hysajn ndihem mirë, kanë pak mentalitet italian. Sidomos Strakosha, që jeton këtu që në moshë të re. Reja? Trajneri është simpatik, bën shaka me ne. Historia flet për të, ka drejtuar skuadrat më të mira në Itali. Pavarësisht moshës, ka energji dhe forcë të madhe.

Për festën e nënës u dhuruat mimoza të gjitha grave të Ambasadës Shqiptare?
Një gjest respekti dhe vlerësimi. Gratë e meritojnë, është një temë që kërkon sensibilizim. Mamaja ime quhet Mimoza, ndaj këtë lule e kam më shumë për zemër.

Marash Kumbulla, mbrojtësi i Romës dhe Kombëtares shqiptare. Gazeta Si, 20 mars 2021

Ambientimi me Romën, si po shkon?
Në fillim kisha vështirësi, qyteti është shumë i madh. Në Verona nuk jetoja në qendër, por në periferi. Është një botë tjetër, eksperienca e parë larg shtëpisë, hera e parë që ndërroj skuadër. Tani ndihem si në shtëpi.
A e dini që shqiptari i parë që ka luajtur në Itali ishte Naim Krieziu, i cili me Romën fitoi titullin në 1942-shin, ashtu si ju, që jeni blerja më e shtrenjtë e erës “Friedkin”?
Krieziun e di kush është, më kanë folur shumë. Për veten, të qenit lojtari më i paguar i pronarëve të rinj, është një motiv krenarie. Por nuk duhet të më vërë në presion, sepse më bën keq. Dua vetëm të përmirësohem dhe të shkoj sa më lart të jetë e mundur.
Prania e Friedkin ndihet në Trigoria?
Sigurisht, ata shikojnë çdo stërvitje, janë gjithmonë në dispozicion të skuadrës. Më ka bërë përshtypje prania e tyre në momente të gëzuara, por mbi të gjitha në momente të vështira.

Marash Kumbulla në stërvitje me Romën. Gazeta Si, 20 mars 2021

Fakti që luani pa publik është më mirë apo më keq? Ju heq presionin, apo ju jep më pak stimuj?
Një stadium bosh nuk të karikon, por tani jemi mësuar. Në fillim ishte një traumë: hyn në fushë dhe të duket sikur është ndeshja e kontrollit që luhet të enjten. Nuk ka dyshim, më mirë me tifozë, edhe nëse të vërshëllejnë. Preferoj duartrokitjet, natyrisht, por nëse duhet të zgjesh mes vërshëllimave dhe stadiumit bosh, preferoj vërshëllimat. Zhurmat pastaj të ndihmojnë të përqendrohesh, të jesh brenda ndeshjes.
A e ndjeni presioin që duhet të fitoni diçka? Roma nuk fiton trofe prej 13 vjetësh…
Në fushë hyn vetëm për fitore. Kemi dëshirë për t’i dhënë diçka klubit dhe tifozëve. Nuk është e lehtë, do japim gjithçka për objektivat. Mezi pres të njoh tifozët e Romës, deri tani më ka ndodhur vetëm gjatë rrugës për në Trigoria. Imagjinoj një “Olimpico” me 60 mijë persona brenda.

Ku ju ndihmon Fonseka për t’u rritur? Si keni ndryshuar nga Juriç te portugezi?
Fonseka më ka ndihmuar të rritem në seleksionimin e zgjedhjeve dhe pozicionimin në fushë. Janë gjëqra që duhet të vazhdoj t’i përmirësoj në të ardhmen. Në lojën mbrojtëse nuk ka ndryshuar shumë: me Juriç luanim një për një në gjithë fushën, me Fonsekën vetëm në disa zona të saj. Në fazën e lojës me top është gjithçka ndryshe. Roma bën gjithmonë ndeshjen, duhet të marrësh më shumë pjesë në aksion.
A besoni se një ditë do të jeni një kolonë e Romës?
Jam i ri, por rritem dhe po mësoj. Dua të jap më të mirën. Kjo është një tjetër ëndërr e madhe për mua, të jem një kolonë e Romës dhe ta ndihmoj atë të fitojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë