Politike

Rama flet për takimin me Albin Kurtin: Drekova me opozitën

Kryeministri Edi Rama nuk ka preferuar të japë shumë detaje për vizitën e kreut të Vetëvendosje, Albin Kurti në Tiranë i cili mbështeti 3 kandidatët që garojnë si të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit. Ai u shpreh se në pamundësi për të drekuar me kryeopozitarin Lulzim Basha, e bëri këtë gjë me Kurtin.

I pyetur për këtë vizitë dhe se a ishte normale për të, që kryeministri i ardhshëm i Kosovës vjen në Shqipëri dhe përfshihet në fushatë elektorale, Rama ka shmangur komentet duke u shprehur se “nuk dëshiron të flasë për këtë çështje”.

“Në pamundësi për t’i bërë një drekë Lulit, ia bëra Albinit dhe pastaj ai u kthye në Kosovë. Kaq. Nuk dua të hyj në këtë diskutim. Hëngra një drekë me Opozitën, me Opozitën pra se erdhi për fushatë. Realisht shkëlqyeshëm. Lulit nuk i bëja dot një drekë. Ia bëra Albinit dhe shkoi shumë mirë” – tha Rama.

Duke u ndalur te ish-ministri Fatmir Xhafaj dhe ministri Pandeli Majko, Rama deklaroi se ata apo dhe vetë kryeministri apo figura të tjera të vjetra të PS duhet të vihen pikërisht në vijën e zjarrit, aty ku është përballja e vërtetë me kundërshtarët.

“Sepse një skuadër ndërtohet mbi bazë të një analize, një skuadër nuk është një rreshtim i vlerave të krijuara nga e shkuara e deri sot. Një skuadër është një rreshtim i forcave që duhen në fushë për të përballuar këtë ndeshje dhe për këtë ne kemi një strategji të re, kemi një skuadër të re, në shumë aspekte të saj dhe kemi një qasje të reja. Kjo është shumë e thjeshtë.

Pandeli Majko është i 19 sepse ai ka 30 vjet që është në vijën e parë, ose në nivelin më të lartë të PS, dhe sigurisht që Pandeli Majko, unë, Gramoz Ruci, të tjerë, nuk mund të rrimë në majë atje dhe ta shikojmë nga lart poshtë se çfarë ndodh aty ku është objektivi, kur ne duhet të jemi tek objektivi. Aty është balli i përballjes me kundërshtarin, nuk është në majë të listës.

Unë e kam shumë seriozisht kur them që neve na duhen sa më shumë njerëz, që partia t’iu ngjajë sa më shumë atyre, dhe jo njerëz që t’i ngjajnë partisë, se ndryshe partia fosilizohet dhe bëhet si ata që kemi përballë. Sali Berisha në PD ka meritat e veta, por a janë ato merita të mjaftueshme që ai të jetë akoma në listë. Ne nuk po shkojmë përpara popullit për të bërë një panair të monumenteve, statujave, vazove, që kemi në koleksionin tonë, por për të qenë në lartësinë e këtij moment dhe të viteve që vijnë përpara. Një parti që nuk bën këtë është e dënuar për të marrë goditjen mbrapsht nga populli atëherë kur nuk ka më fuqi të ringrihet. Ne nuk kemi nevojë të presim që të na marrë populli me shkelma si një forcë që nuk arrin të ripërtërihet”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë