Motosport

Prezantohet Ferrari SF21 i Leklerk dhe Sainz, në fundjavë bekimi në pistë

Është prezantuar makina e re e Ferrarit për Botërorin e ri në Formula 1. Të premten debutimi në Sakhir, në ditën e parë të testeve para fillimit të kampionatit. Një Ferrari klasike, e kuqe, model SF21, me të cilën skuderia italiane do të përpiqet të fshijë nga memoria Botërorin 2020, ku ishte larg pritshmërive.

Pilotët Leklerk dhe Sainz me makinën e re. Gazeta Si, 10 mars 2021

Nga e premtja deri të dielën, Sharl Leklerk dhe Karlos Sainz Jr. do të nisin të testojnë fuqinë e makinës së re. Ata do të kryejnë testet e nevojshme para kampionatit në Sakihr, ku do të startojë Botërori të dielën e 28 marsit. Synimi është që të përmirësohet vendi i 6-të në renditjen e konstruktorëve të 2020-ës.

Nuk ka të reja të rëndësishme në Ferrarin e ri, me përjashtim të “power unit”-it të ri, shumë i rëndësishëm për të rikuperuar shpejtësinë. SF21, në pjesën pas shpatullave të pilotit, ka vija jeshile.

Presidenti Elkan (në qendër) gjatë prezantimit të makinës së re. Gazeta Si, 10 mars 2021

Xhon Elkan, presidenti i Ferrarit, pas prezantimit të makinave ka thënë: “Viti 2020 është lënë pas krahëve, por nuk do të harrohet. Përkundrazi, na ka bërë më të fortë. Tani mezi presim të kthehemi në pistë. Ishte bukur të shihje se si Leklerk dhe Sainz kanë kontribuuar bashkë me teknikët tanë për përgatitjen e sezonit.

Me padurim presim ta shikojmë makinën në pistë. Prezantimi është një moment special, momenti i të vërtetës. Tifozët tanë, ta apasionuarit pas F.1, të gjithë ne të Ferrarit i garantojmë se do ta nderojmë emrin e themeluesit tonë Enco Ferrari dhe se do ta nisim kampionatin me shpirtin e tij fitues”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë