Në 1 vjetorin e ‘’besëlidhjes’’, Ilir Meta ka dalë hapur duke paralajmëruar PD se nëse fiton Rama, drejtimin e opozitës do ta marrë ai. Meta, ka paralajmëruar dorëheqjen e tij në këtë post, nëse kryeministri Edi Rama merr 71 mandate më 25 prill, pa u prekur vota, duke thënë se pas kësaj do të marre në dorë opozitën.
“Në këtë tokë Zot është populli i Shqipërisë, pikë! Mori Edi Rama 71 mandate? Unë më 26 prill do të jap dorëheqjen, kaq do ta bëj, siç bëri Ramiz Alia. Nëse ai merr 71 mandate, pa prekur votën e popullit, unë do të jap dorëheqjen dhe unë do të kaloj në opozitë, sepse unë respektoj demokracinë.
Ama nëse preket një votë e lirë e shqiptarëve, këtu historia mbaron. Nuk më intereson fare, unë besoj te vota e lirë dhe demokracia. Vota do të jetë e lirë dhe e barabartë në 25 prill. U prek vota u pre dora e banditit dhe policit të korruptuar.
Unë jam me popullin. Unë kam ardhur nga revolucioni, kam ardhur nga rruga, kam histori përplasjesh. Kam krijuar LSI-në, nga ai që del ky tani në televizion. E krijova, sepse paraardhësi i këtij bllokoi integrimin europian. Unë ika nga PS dhe kryeministri, sepse u bë bllokadë për integrimin e vendit”, u shpreh Kreu i Shtetit me tone të ashpra.
Duke u ndalur te “2 marsi”, Meta theksoi se nuk dështoi, por ishte një lloj zgjimi për shqiptarët, duke përsëritur thirrjen se më 25 prill do të ketë referendum. ‘’ Nuk ka asnjë lloj dështimi. 2 marsi ishte një lloj zgjimi, pas një thirrje të Presidentit. Falënderoj të gjithë qytetarët që erdhën atje. Nuk ka sesi të dështojë populli në aspiratën e vet për të mbrojtur sovranitetin e vet, sepse në Kushtetutë është e qartë që sovraniteti i përket popullit. Nuk kam guxuar t’i thërras më shqiptarët pas 2 marsit, sepse kam qenë i bindur që nuk do i përmbaja dot, sepse për 1 vit kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, ka ndodhur shkatërrimi barbar në kulmin e pandemisë i Teatrit Kombëtar, kanë ndodhur kaq shumë koncesione korruptive, që kanë dëmtuar rëndë interesin publik e kombëtar. Ka kaq shumë probleme.
Vetë populli ka vendosur që për çështje të rëndësishme shprehet me referendum, gjë që për dekada të tëra është bllokuar, me një ligj për të bllokuar referendumet. I gjithë ky tani është një proces, që kulmon me 25 prillin, ku kemi dy gjëra që do të bëhen të shenjta njëherë e përgjithmonë dhe ku ndëshkueshmëria do të jetë fatale, që janë vota e lirë dhe e barabartë dhe Kushtetuta dhe paprekshmëria e saj. Shqipëria do të hyjë në epokën e sundimit të referendumeve pas 25 prillit. Do dalë nga epoka e errët.
Zgjedhjet do bëhen në 25 prill dhe askush të mos përpiqet të bëjë grushtet shteti apo të justifikojnë situata të çmendura që bëhen në Shqipëri. Të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje. Të gjithë të kenë kujdes, të ruajnë njëri-tjetrin dhe të ruajnë demokracinë. Ata që firmosën sot kanë bërë një gabim shumë të rëndë, që nuk hynë në zgjedhjet lokale, të mos presin zgjedhje daneze apo suedeze dhe jam i gatshëm të punoj me ta për zgjedhje të ndershme’’.
Sakaq, i pyetur nëse i frikësohet drejtësisë së re, Meta i hodhi poshtë këto akuza, por sipas tij, asaj duhet t’i frikësohen ata që kanë shkelur Kushtetutën. Presidenti teksa ka komentuar çmimin e Departamentit amerikan të Shtetit për Ardian Dvronanin, thotë se nuk i heq asnjë presje asaj që ka thënë më parë në lidhje me shkeljet që Dvorani ka bërë në krye të KED-së.
‘’ Unë nuk hy në punët e brendshme të Amerikës, sepse e kemi dikë që merret, unë kam punët e Shqipërisë. Ju duhet ta bëni perceptimin tepër korrekt të asaj që kam thënë. Mesazhi është shumë i qartë për gruan e Bilalit që është mburrur me certifikatën anti-korrupsion. Kjo është një gjë që nuk më intereson fare. Për zoti Dvorani nuk lëviz asnjë presje nga ajo që ka shkaktuar presidenti Ilir Meta. Ky ka bërë çështje procedurale, unë i kam shkuar deri në themel dhe në fund fare ka thënë që me këto prova që kemi, nuk kemi gjë.
Unë jam presidenti i Shqipërisë. Marrëdhëniet e mia me SHBA janë të shkëlqyera. Amerikanët e Edi Ramës, Ilir Meta i kap për veshi. Jo si President i Republikës. Ata të mos e gënjejnë se i dalin për zot të prekë votën e lirë”, u shpreh Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




