Gjatë një vizite në Qendrën e Vaksinimit në Arenën Kombëtare, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se javën tjetër do të vijë dërgesa e radhës nga Pfizer.
“Ditën e hënë do të vijojmë të intensifikojmë dhe të shtrijmë në vijim vaksinimin”, tha Manastirliu.
Ajo tha se gjithashtu pritet që në 10 ditëshin e parë të Marsit, të vijë edhe një dërgesë të parë nga kontrata me Covax-in.
“Janë planifikuar rreth 14,400 doza, të cilat priten që të vijnë nga kjo marrëveshje e lidhur dhe e parapaguar nga qeveria shqiptare”, tha Manastirliu.
Duke folur për vaksinimin e të moshuarve, Manastirliu tha se përfundimin e mjekëve, infermierëve, gjithë personelit shëndetësor, të të moshuarve në azile, kujdestarëve të tyre, “gjithashtu do të intensifikojmë edhe vaksinimin e të moshuarve dhe do të vijojmë edhe përgjatë ditës së dielë me vaksinimin e të moshuarve +80, duke filluar me fashën +90 vjeçare, duke vijuar vaksinimin”, tha Manastirliu.
Sot po vijon vaksinimi antiCovid për personelin shëndetësor dhe të moshuarit në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Berat, Elbasan dhe Kukës. Deri tani janë kryer mbi 11 mijë vaksinime, nga të cilat 782 janë të moshuar dhe staf që kujdeset për ta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.