Financa Personale

Covid 19/ Testi i shpejtë te privati në Shqipëri më i shtrenjti në Europë

Autoriteti I Konkurrencës hesht “nuk mund t’ju japim një përgjigje”

Lufta me COVID-19 vazhdon të mbetet e ashpër në të gjithë botën, por shqiptarët luftojnë me veten për të përballuar edhe kostot financiare të sëmundjes.

Nëse nuk mbërrin të mbarosh punë në shtet me testin PCR ose testin e shpejtë COVID-19, të duhet të shkosh në laboratoret private.

“Deri tani nuk kam komentuar asgjë në lidhje me shërbimin shëndetësor gjatë përvojës së infektimit me COVID-19.

Për testin e vlerësimit fillimisht nuk pata akses në poliklinikë në orën dhe ditën që më caktoi doktoresha e familjes sepse kishin mbaruar testet.

Nga ai moment vendosa që çdo analizë do e bëja në privat.

Doktoresha e familjes më ka ndjekur çdo ditë.

Sot, duhet të filloj ilaçin për hollimin e gjakut për shkak të D-Dimer të 3-fishuar dhe nuk gjej në asnjë farmaci. Ka mungesë tregu.As test, as ilaçe. Ndjehem e mbrojtur...P.S. Kurse Doktori i grafisë së mushkrisë nuk më futi fare ta bëja sepse rekomandimin e kisha vetëm si kopje elektronike.”- tregon Jori, profesioniste në fushën e Marketingut.

Perceptimi dhe deklarimet e medieve të huaja për hyrjen në treg në të gjithë botën të testeve të shpejta, të cilët do të dedektonin sëmundjen në ditët e parë dhe do të ndihmonin mbajtjen nën kontroll të infektimeve, do të ishin të shpejta, komode dhe shumë më të lira.

Por në Shqipëri nuk u vërtetua ky realitet asesi.

Disa laboratorë privatë në kryeqytet të kontaktuar nga gazeta “Si” pohuan se i disponojnë testet e shpejta dhe kushtojnë 8500 lekë.

Ky çmim përfaqëson rreth  14 për qind e  të ardhurave mestare të një  shqiptari. Nëse këtyre shpenzimeve do t’i shtonin edhe koston e analizave dhe kurimit që vetëm në stadin fillestar të infeksionit nga Covid-19 që është  rreth 41 mijë lekë, atëherë shpenzimet bëhën barrë shumë e rëndë.

Kjo tablo tregon se raporti mes standardit të shqiptarit mesatar dhe çmimeve të klinikave private në vend është absurd.

Përpos kësaj çmimi i testit të shpejtë COVID-19 në Shqipëri është më i larti në rajon dhe Europë. Madje është edhe më I lartë se në Singapor.

Në Serbi testi i shpejtë COVID -19 kushton 8-10 euro, në Itali 22 euro, Singapore 50 dollare, Kosovë 50 euro.

Ndërsa qeveria greke u ka vënë një tavan laboratorëve privat për testin e shpejtë në 10 euro.

Nëse bën një kërkim në google për çmimet e testeve të shpejta për ti marrë edhe me shumicë në https://www.trovaprezzi.it/, vëren se çmimet nisin nga 5,30 euro.

Më herët ekspertë të fushës së ekonomisë kanë folur për gazetën “Si” se rregullatori shtet duhet të ndërhyjë për të vendosur një tavan në kushtet e emergjencës shëndetësore.

Gazeta “Si” u interesua pranë Autoritetit të Konkurrencës që heton pozitën dominuese dhe thyerjen e kritereve të konkurrencës nëse ka nisur një hetim në lidhje me ndonjë marrëveshje të mundshme mes kompanive që vendosin të njëjtin çmim në bashkëpunim për të njëjtin produkt, por ai u përgjigj me heshtje : “Nuk kemi një përgjigje për këtë çështje”.

Sipas Agjencisë së Barnave, pajisjet mjekësore nuk janë çmime referuese. Dhe kjo mbështetet në ligjin e pajisjeve mjekësore 89/2014, datë 17.7.2014, “Për pajisjet mjekësore” i ndryshuar me ligjin 21/20”.

Kjo do të thotë që çmimi prej 8500 lekësh për një test të shpejtë COVID-19 është vendosur nga kompanitë respektive.

Konkurrenca vijon të heshtë si në rastin e çmimit të tamponëve, kur në krye të herës laboratorët privatë në vend vendosën çmimin e fiksuar prej 12000 lekësh, më të lartin në rajon dhe Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë