Motosport

Video/ Formula 1, Red Bull-i prezanton makinën e sfidës ndaj Mercedesit

Është prezantuar online makina, me të cilën skuderia austriake dhe piloti i saj, Maks Vershtapen, do të synojnë të sfidojnë Ljuis Hemiltonin dhe Mercedesin në Botërorin që starton më 28 mars, në Bahrein.

Për të provuar të spostojë Ljuis Hemiltonin dhe Mercedesin nga shkalla më e lartë, Red Bull-i i ka besuar… planit B. B si RB16B, makina që i dha kësaj skuderie vendin e dytë në Botërorin 2020 për konstruktorët dhe vendin e tretë pilotit Maks Vershtapen. Fituesi i garës së fundit të sezonit që shkoi në dhjetor do të ketë shok skuadre meksikanin Serxhio Perez, që sezonin e fundit ishte te Honda.

Është pikërisht “power unit” japoneze e reja kryesore e 2021-shit te Red Bull-i. Në sezonin e fundit në Formula 1, Honda e ka përshpejtuar me 12 muaj prezantimin e variantit të saj final, që më pas, nga 2022-shi në 2024-ën, Red Bull-i do ta administrojë vetë nëpërmjet rapartit të ri “Powertrains”.

Për shkak të shtyrjes në 2022-shin të prezantimit të rregullores së re teknike, versioni “B” i makinës që garoi në Botërorin e 2020-ës nuk ka të reja domethënëse, siç ka ndodhur me makinat e skuderive të tjera që janë prezantuar deri tani dhe ato që do të prezantohen në vazhdim. Mund të ketë ndonjë “sekret” për t’u zbuluar nga skuadra nënkampione në 3 ditët e testeve 12-14 mars në Bahrein.

Makina “e re” RB16B do të bëjë xhirot e para të mërkurën në Silverston. Përveç Vershtapen dhe Perez, do të zbresë në pistë edhe Aleksandër Albon, piloti rezervë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë