Lajme

PD vijon akuzat për Begon: Përveç Ballës, i përfshirë edhe Gjiknuri

Partia Demokratike ka vijuar edhe ditën e sotme akuzat ndaj qeverisë për çështjen Bego. Deputeti demokrat, Ervin Salianji, në një deklaratë nga selia e PD-së ka deklaruar se përpos Taulant Ballës, Edmond Begon e ka favorizuar edhe ministri Damian Gjiknuri. Ai akuzoi se ministrin Gjiknuri se ka firmosur leje minerare për biznesmenin Edmond Bego.

“Edmond Bego, miku trafikant droge me 5 emra i Taulant Ballës nuk ka përfituar vetëm para publike në kundërshtim me ligjin, 10 milionë euro dhe 6.4 miliardë lekë në 7 muajt e fundit, por ka përfituar edhe pasuri të tjera publike. Për shumëfishimin e pasurisë së mikut trafikant droge të Taulant Ballës janë përfshirë edhe ministrat e Edi Ramës. Damian Gjiknuri 3 vjet më parë, atëherë kur trafikanti i drogës Bego dhe politikani Taulant Balla u bën miq familjarë, ka firmosur leje minerare pa garë për Edmond Begon. Leja minerale pa dyshim ëhstë dhënë në zonën elektorale të Taulant Ballës në Elbasan, njësoj si shumica e punëve të tjera publike”, shprehet Salianji.

Gjithashtu ka vijuar akuzat edhe ndaj prokurorisë që nuk po e heton rastin e Begos.

“Sipas lejes  që ka firmosur Damian Gjiknuri, miku trafikant droge i Taulant Ballës ka të drejtë të shfrytëzojë për 25 vjet me radhë pasuritë natyrore në interes të biznesit të tij të ndërtimit, i cili duhet të ishte që në atë moment në sekuestro nga Prokuroria.

Por, Prokuroria sërish hesht dhe bën të njëjtën lojë si në rastin e Agron Xhafajt. Njofton jozyrtarisht se ka nisur verifikimi pasuror, por jo hetim sic ia kërkon ligji, me shpresën se gjithçka do të harrohte ku shërbëtorët e mafias dhe të krimit në pushtet të mbyllin dosjen.

Taulant Balla dhe Edi Rama heshtin që të mbulojnë me arrest përfitimet skandaloze dhe të paligjshme të trafikantit të drogës pasi ai u bë mik familjar me Taulant Ballën dhe që tani nga dokumente duket qartë që implikojnë edhe ministrin Damian Gjiknuri. Për politikanë si Balla dhe Gjiknuri drejtësia mund të vonojë por nuk do të harrojë”, përfundoi Salianji.

Edmond Bego u ndalua pak ditë më parë në Greqi, teksa kthehej nga pushimet në Korfuz, për llogari të shtetit italian. Por, pas letrës që Interpol Roma i dërgoi Interpol Athinës për të vërtetuar se shqiptari Edmond Bego nuk kishte asnjë çështje të hapur në shtetin italian, biznesmeni u lirua.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë