Kina refuzoi t’i dorëzojë të dhënat kryesore ekipit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që heton origjinën e Covid-19, ka thënë një nga anëtarët e saj.
Mikrobiologu Dominic Dwyer tha për mediat ndërkombëtare si “Reuters”, “Wall St Journal”dhe “New York Times” se ekipi kërkoi të dhëna të para të pacientit nga rastet fillestare dhe e quajti “praktikë standarde”.
Ai tregoi se ata morën vetëm një përmbledhje.
Kina nuk i është përgjigjur pretendimit por më parë ka insistuar se ishte transparente me OBSH.Javën e kaluar, ekipi i OBSH-së arriti në përfundimin se ishte “jashtëzakonisht e vështirë” që koronavirusi të dilte nga një laborator në qytetin e Wuhan, duke hedhur poshtë një teori të diskutueshme që u shfaq vitin e kaluar. Wuhan ishte vendi i parë në botë ku u zbulua virusi, në fund të vitit 2019. Që atëherë, më shumë se 106 milion raste dhe 2.3 milion vdekje janë raportuar në të gjithë botën.
Çfarë donte të shihte ekipi i OBSH-së?
“Hetuesit kishin kërkuar të dhënat e para për 174 rastet e identifikuara me Covid-19 nga Wuhan në Dhjetor 2019,”tha profesori Dwyer për Reuters.
Vetëm gjysma e rasteve të hershme ishin ekspozuar në tregun e produkteve të detit, ku virusi u zbulua fillimisht.
“Kjo është arsyeja pse ne kemi këmbëngulur ta kërkojmë atë.Pse nuk ndodh kjo, nuk mund të komentoj. Nëse është politike apo thjesht për kohë. Por nëse ka ndonjë arsye tjetër pse të dhënat nuk janë të disponueshme, nuk e di,” tha Dwyer.
Thea Kolsen Fischer, një imunologe daneze e cila ishte gjithashtu pjesë e ekipit të OBSH-së, i tha gazetës “New York Times” se ajo e pa hetimin si “shumë gjeopolitik”.
“Të gjithë e dinë se sa presion ka mbi Kinën për t’u hapur për një hetim dhe gjithashtu sa faj mund të shoqërohet me këtë,” tha ajo.
Dwyer tha se kufizimet mbi të dhënat do të përmenden në raportin përfundimtar të ekipit të OBSH-së, i cili mund të lëshohet që javën e ardhshme. Ekipi arriti në fillim të janarit dhe kaloi katër javë në Kinë, ku dy të parat në karantinën e hotelit.
Cila ka qenë përgjigjja nga kinezët?
Pekini ka insistuar se ishte transparente me hetuesit e OBSH-së, vizita e të cilëve filloi vetëm pas disa muajsh negociatash. Ekspertët u monitoruan nga afër nga autoritetet kineze. SHBA akuzoi Kinën për fshehjen e përmasave të shpërthimit fillestar dhe kritikoi kushtet e vizitës, të cilat kufizuan lirinë e ekipit të OBSH për të udhëtuar dhe intervistuar dëshmitarë, përfshirë anëtarët e komunitetit, për arsye shëndetësore. Hetuesit i thanë gazetës “New York Times” se mosmarrëveshjet, përfshirë edhe hyrjen në regjistrat e pacientëve, ishin aq të tensionuara saqë nganjëherë shpërthenin edhe në britma. Muajin e kaluar, një raport i përkohshëm nga OBSH kritikoi përgjigjen fillestare të Kinës, duke thënë se “masat e shëndetit publik mund të ishin zbatuar më me forcë”. Ekipi i OBSH-së gjithashtu ka bërë thirrje për hetime të mëtejshme mbi mundësinë e transmetimit të “zinxhirit të ftohtë”, duke iu referuar teorisë që virusi mund të ishte përhapur përmes transportit dhe tregtimit të ushqimit të ngrirë. Peter Daszak, një anëtar i ekipit të OBSH-së, tha se fokusi se ku mund të jetë origjina që çoi në Covid-19, mund të zhvendoset në Azinë Juglindore.
Burimi:BBC/Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.