“Kjo është Londra” Gati një shekull, kjo frazë ka evokuar shërbimin më të mirë të informacionit radioteleviziv në botë: British Broadcasting Corporation, më shumë e njohur nga shkurtesa BBC, e quajtur ndryshe nga anglezët si “tezja”, sepse për ta BBC është si person i familjes.
Por për të gjithë të tjerët, në çdo kontinent, BBC ishte shpesh i vetmi zë i paanshëm që i besoheshin lajmet lokale apo ato ndërkombëtare. Siç edhe kujtohet shpesh nga korrespondentët apo të dërguarit nëpër botë të cilët, para futjes së telefonave celularë, internetit dhe mediave sociale, kërkonin transmetimet e tij përmes një radio me valë të shkurtër, nga thellësitë e një xhungle ose në mes të një grushti shteti, për të ditur se çfarë po ndodhte në pjesën tjetër të planetit.
E ndaluar këtë javë nga Kinë, në shenjë hakmarrje të dukshme ndaj saj për raportimin e përdhunimit të grave Ujgure, transmetuesi publik britanik meriton një vend të vetin në historinë e mediave globale.
BBC ishte i pari që filloi transmetimet në radio, në 1922. I pari në Evropë që filloi transmetimet televizive, që nga viti 1936.
Rrjeti i parë televiziv që kishte një faqe në internet, sot një nga më të vizituarat në tokë. Dhe mbi të gjitha ishte dhe mbetet një pikë referimi për përsosmërinë dhe objektivitetin e programeve të saj gazetareske.
Ndryshe nga shërbimet e tjera publike të radios dhe televizionit, BBC financohet ekskluzivisht nga pajtimi vjetor që qytetarët britanikë duhet të bëjnë për të parë TV. Ndaj dhe nuk ka ndërprerje për reklama, as në programet e saj të informacionit dhe as në programet argëtuese, përveçse në BBC World Service, kanali televiziv ndërkombëtar, ku pajtimi është padyshim i pamundur, dhe në vend të kësaj financohet përmes reklamave
Me kalimin e kohës, BBC ka pasuruar jashtëzakonisht programet e saj: Tani ka me dhjetëra kanale televizive dhe një duzine kanalesh radiofonike, duke përfshirë kanale të dedikuara ekskluzivisht për lajmet, raportet parlamentare, muzikën, sportin, programe streaming etj.
Rinovimi i saj i vazhdueshëm dhe përparimi teknologjik ka ndikuar edhe në media të tjera
Filmat, serialet, koncertet janë bërë klasike për publikun britanik, disa prej të cilave i kanë shoqëruar ato për dekada.
Por për pjesën tjetër të botës, informacioni gazetaresk është ajo që veçanërisht përfaqëson BBC në rastin më të mirë, simbolin e ekselencës së pakonkurueshme, të paktën në sektorin e transmetimit…
Sigurisht që nuk kanë munguar edhe polemikat ndaj saj psh një nga rastet që mund të përmendet është se ajo ka qenë “politikisht korrekte” sa i përket debatit për Brexit…
Përkthyer me shkurtime nga “la Reppublica”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.