Rinia e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, kundër ofendimeve skandaloze ndaj shqiptarëve në librin e gjeografisë për vitin e dytë të gjimnazit.
Forumi rinor i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës ka djegur faqet e librit që thonë se shqiptarët kanë prejardhje turke, rome dhe çerkeze, dhe se Maqedonia e Veriut është mbushur me shqiptarë në 200 vitet e fundit në proces politik.
Libri i gjeografisë thotë se shqiptarët kanë prejardhje rome dhe turke, ndërsa disa fise që llogariten autoktone në Maqedoninë e Veriut janë në fakt maqedonas të shqiptarizuar gjatë sundimit osman. Këto shtrembërime kanë shkaktuar reagime të ashpra nga opinioni publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Gabime dhe shtrembërime të fakteve historike janë hasur edhe më parë në tekstet shkollore, por komisionet e formuara nga ministrat shqiptarë të arsimit për shqyrtimin e këtyre teksteve nuk kanë dhënë asnjë rezultat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.