Ngjarje

Kreu i Akademisë së Shkencave: Shqipëria duhet të mbyllet të paktën 2 javë

Skënder Gjinushi, Kreu i Akademisë së Shkencave gjatë konferencës në kuvend me fokus “Pandemia dhe rimëkëmbja-strategjitë e përballjes dhe pritshmëritë e zhvillimit” u shpreh se duhet të shtrëngohen masat kufizuese minimlisht për dy javë.

Gjinushi u shpreh gjithashtu se Shqipëria ka masat më të buta në Europë.
“Vdekshmëria te ne nga dhjetori ishte në 1%, kurba e përhapjes ka formën e një vargmali me 2 maja, në nëntor. Në të gjitha vendet ka nisur zbritja, ne sot ndodhemi ende në majë dhe presim fillimin e uljes nga vala e dytë. Kjo sepse zbatohen masa më të buta se në Evropë,” shtoi ai.
Sipas Gjinushit, duhet të përballohet pandemia me sa më pak dëme në ekonomi.

Më herët në një intervistë për mediat Gjinushi është shprehur se momentalisht vendi ynë është në fazën e dytë të pandemisë , duke shtuar se pjesa më e madhe e rrugës drejt “shpëtimit” nga Covid-19 është bërë, pasi 40% e popullsisë në Tiranë e ka kaluar virusin.

“Meqë vdekshmëria nuk ka arritur shifra të frikshme, sidomos si në Itali, në tërë Evropën Perëndimore ka tendencë uljeje. Vdekshmëria parashikohet të arrijë në nivelet 1, 2 për një mijë persona gjithsej. Mund të themi që e kemi kaluar gjysmën e tunelin dhe po shohim dritë. Parashikimet që japin specialistët është që nga marsi fillon një ulje e ndjeshme e pandemisë. Për fazën e dytë mendohet se është bërë pjesa më e madhe e rrugës. Kur janë bërë mbi 40% e popullsisë në kontakt me koronavirusin në Tiranë, do të thotë që ka bërë goxha rrugë dhe pasojat nuk kanë qenë aq katastrofike si më parë”, është shprehur Gjinushi.
Ndërkaq, Gramoz Ruçi, Kryetari i Parlamentit është shprehur se qeveria është e përgatitur për të përballuar pandeminë, por shton se duhet edhe bashkëpunimi i qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë