Bota

Maqedonia e Veriut blen 200 mijë vaksina kineze

Maqedonia e Veriut nënshkroi zyrtarisht sot një kontratë me Kinën për furnizim me 200 mijë vaksina kundër koronavirusit nga prodhuesi Sinofarm.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili theksonte se vaksinat mund të arrijnë gjatë muajit shkurt. Lëvizja e vendit fqinj për t’iu drejtuar Pekinit erdhi pas një kohë të gjatë pritjeje për vaksinat e nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe shfaqjes së variantit britanik, i cili ka cuar në rritjen e rasteve të reja.

Detajet më specifike të marrëveshjes mbeten konfidenciale, sepse, sipas Ministrisë maqedonase të Shëndetësisë, kko është në përputhje me politikën globale të të gjitha kompanive farmaceutike, përfshirë Sinofarm.

“Vaksinimi do të luajë një rol kryesor në zvogëlimin e efekteve të dëmshme në shëndetin e popullatës dhe shoqërisë në përgjithësi, duke forcuar imunitetin kolektiv gjatë pandemisë. Imunizimi është një armë e fuqishme në luftën kundër koronavirusit, por, përkundër kësaj, masat shëndetësore për mbrojtjen personale duhet të vazhdojnë të respektohen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup. “Personat që kanë kaluar koronavirusin  nëse dëshirojnë të vaksinohen, do të mund ta bëjnë këtë vetëm në konsultim me mjekun specialist, tha Ministria e Shëndetësisë.

Sipas planit te vaksinimit në vendin fqinj, në fazën e parë do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë si dhe personat mbi 70 vjeç. Në fazën e dytë do të vaksinohen punonjëësit me të rrezikuar si mësuesit, punonjësit në institucione vitale dhe personat mbi 65 vjeç dhe më të rinjtë me sëmundje shoqëruese, ndërsa në fazën e tretë të gjithë ata që duan do të vaksinohen.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka deklaruar se situata epidemiologjike për momentin është e qëndrueshme, por ka bërë thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mbajnë maskat edhe në shtëpi.

Në një prononcim për mediat, ministri është shprehur se Maqedoni ka rreth 20 variacione të koronavirusit, duke shprehur se qeveria ka çuar dhjetëra mostra në një laborator në Berlin për t’i analizuar.

Ai tha se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe se nëse ka përkeqësim të gjendjes epidemologjike, Qeveria do të marrë masa të reja.

“Po e ndjekim gjendjen dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim edhe masa të reja epidemiologjike nëse ka përkeqësim. Duhet të jemi të kujdesshëm. Për momentin në spitale po shfrytëzohen vetëm 30 për qind e kapaciteteve, por presim që situata të përkeqësohet”, tha ai.

Në fund të janarit, në Maqedoninë e Veriut është shënuar viktima e parë më nga varianti britanik, pas zbulimit të dy rasteve me këtë mutacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë