Ekonomisti italian Mario Draghi ka pranuar mandatin e formimit të një qeverie të re, por a do të ketë ai mbështetjen e mjaftueshme për t’u bërë Kryeministri i ardhshëm?
Draghi filloi të enjten bisedimet mbi formimin e një qeverie të re, një ditë pasi u thirr nga Presidenti Sergio Mattarella mes një krize politike dhe ekonomike. Ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane (BQE), mblodhi udhëheqësit e partive në Romë për t’i pyetur nëse do mbështesnin një qeveri të “unitetit kombëtar”.
Draghi nuk do të emërohet zyrtarisht si kryeministër derisa të mund të sigurojë një shumicë në parlament ,dhe deri atëherë, qeveria e Giussepe Conte mbetet në detyrë. Ai u tha drejtuesve të partive politike se ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës ka nevojë për “një qeveri politike që është solide dhe e bashkuar” për të trajtuar sfidat që e presin.
Në deklaratat e tij të para publike, kryeministri Conte uroi Draghi duke shtuar se do të vazhdonte të punonte për të mirën e vendit”.
Megjithatë është ende e paqartë nëse Draghi mund të marre mbështetjen e nevojshme nga partitë politike të Italisë. Detyra e njeriut që shpëtoi Eurozonën nga kriza ekonomike e vitit 2012 është urgjente. Italia mbetet në kthetrat e pandemisë vdekjeprurëse të koronavirusit dhe Roma duhet gjithashtu të finalizojë një plan brenda disa javësh për të ndihmuar ekonominë e goditur nga recesioni me ndihmën e fondit të rimëkëmbjes së Bashkimit Europian. Draghi raportohet se ka mbështetjen edisa prej partive kryesore në parlament, por më e madhja, Lëvizja Pesë Yjet (M5S) nuk është ende në bord.
“Pavarësisht se një nga figurat më unifikuese të Italisë, nuk është e qartë nëse Draghi mund të fitojë mbështetjen nga një parlament i fragmentuar që ka rrëzuar dy qeveri që nga viti 2018,” thotë analisti italian Federico Santi.
Draghi zhvilloi bisedime të enjten me disa nga partitë më të vogla dhe do të vazhdojë diskutimet me Berlusconin të premten dhe të shtunën. Dy nga tre partitë në koalicionin aktual në qeveri, Partia Demokratike (PD) dhe Italia Viva e Matteo Renzi, kanë treguar deri më tani se do ta mbështesin.
Por Draghi gjithashtu ka nevojë për abstenim ose mbështetje të një prej tre partive të tjera: Pesë Yjeve, Lega e Matteo Salvini dhe Vëllezërit e Italisë.
Edhe nëse ka humbur pjesën më të madhe të avantazhit të saj, Pesë Yjet filloi si një parti anti-elitiste, euroskeptike, kështu që është ideologjikisht e vështirë që ajo të mbështesë një figurë pro-europiane si Draghi. Të premten, ministri i Jashtëm në largim Luigi Di Maio, i bëri jehonë thirrjes së Conte për një “qeveri politike”, duke hedhur poshtë idenë e një kabineti të përbërë nga teknokratë.
Draghi mund të formojë qeverinë, duke i ofruar disa poste kabinetit të Pesë Yjeve dhe partive të tjera, por mbetet e paqartë nëse kjo do të ishte e mjaftueshme. Ekzistojnë spekulime se Roberto Gualtieri i PD-së mund të mbijetojë si ministër i ekonomisë, një post kyç ndërsa Italia harton plane për dalë nga recesioni më i ashpër që nga Lufta e Dytë Botërore.
Italia pritet të marrë pjesën më të madhe të fondit të rimëkëmbjes së Bashkimit Europian, rreth 200 miliardë euro, por duhet të paraqesë një plan të besueshëm të shpenzimeve në Bruksel deri në prill.
Tregu i aksioneve në Milano ishte më i lartë për të dytën ditë të enjten, gjë që analistët ia atribuuan besimit te Draghi. “Ne e dimë se ai do të bëjë” gjithçka që duhet “për ta nxjerrë Italinë nga kriza më e rëndë ekonomike dhe shëndetësore që nga lufta,” thotë analisti Neil Wilson.
Nëse Draghi nuk arrin të sigurojë një shumicë, opsioni i vetëm do të ishin zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të nxirrnin fitues Matteo Salvinin. Mattarella tha të martën se dëshiron të shmangë zgjedhjet e parakohshme, duke pasur parasysh kompleksitetin dhe rrezikun e mbajtjes së tyre në mes të një pandemie.
Burimi: Locale.it
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.