Shtëpitë individuale dhe apartamentet që do të kalojnë në pronësi të qytetarëve përfitues të programeve të rindërtimit, nuk mund të shiten apo të dhurohen.
Ky vendim i qeverisë është botuar në Fletoren Zyrtare.
Vendimi parashikon se kontrata noteriale e kalimit të pronësisë, pala e dytë që është përfituese e banesës duhet të plotësojë kushtet e mospremtimit dhe mospërdorimit nga një palë e tretë.
Po ashtu për aq kohë sa kjo marrëveshje do të jetë në fuqi, banesa nuk mund t’i shitet një pale të tretë.
Ndërkohë, kontrata e kalimit të pronësisë duhet të shoqërohet me deklaratën noteriale të heqjes dorë, nga subjektet përfituese, nga çdo pretendim mbi të drejtat e pronësisë për banesën apo shtëpinë individuale të mëparshme.
Nëse qytetari që i kalon pronësia e shtëpisë së re nuk plotëson të gjitha kushtet e vendosura në legjislacionin në fuqi, atëherë kjo marrëveshje nuk do të ketë fuqi ligjore dhe shteti zhvishet nga të gjitha detyrimet e ngarkuara në këtë aktmarrëveshje.
Ndër të tjera, në vendim përcaktohet se shteti merr përsipër dhe garanton palën përfituese të shtëpisë së rindërtuar se përgjatë gjithë kohëzgjatjes që do të duhet për dorëzimin e pasurisë, sipas parimit “me çelësa në dorë”, do t’i sigurojë subvencionin e pagesës së qirasë deri në momentin që kësaj pale t’i kalojë e drejta e pronësisë së pasurisë.
Kostot e shpenzimeve noteriale dhe regjistrimi i certifikatës të pasurisë në Agjencinë e Kadastrës do të paguhen nga shteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.