Mario Draghi, njeriu që shpëtoi Eurozonës në vitin 2012 në kulmin e krizës ekonomike, mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Italisë, duke marrë detyrën në momentin më të vështirë për vendin fqinj që nga Lufta e Dytë Botërore.
Presidenti italian pritet t’i kërkojë sot ish-kreut të Bankës Qendrore Europiane të marrë detyrën e kryeministrit pas rënies së qeverisë Conte II.
Zëdhënësi i Presidentit Sergio Mattarella tha se ai i kishte kërkuar Draghi, të formojë qeverinë, pasi partitë në pushtet nuk arritën të bien dakord për një qeveri të re.
Njoftimi erdhi pasi partitë qeverisëse të Italisë, partia Demokratike dhe Lëvizja Pesë Yjet humbën afatin e së martës për të arritur një marrëveshje, duke nënkuptuar kështu se bisedimet për krijimin e një qeverie të re kishin dështuar.
“Aktualisht, mbeten ndryshime, në dritën e të cilave unë nuk kam regjistruar një gatishmëri unanime për t’i dhënë jetë një mazhorance,” tha Kryetari i Parlamentit Roberto Fico, pas takimit me Presidentin Sergio Mattarella.
Italia është aktualisht pa një kryeministër mes një krize politike e cila është thelluar që kur Conte dha dorëheqjen javën e kaluar.
Mattarella u kishte dhënë partive të koalicionit qeverisës deri të martën për të arritur një marrëveshje me partinë Italia Viva të ish-kryeministrit Matteo Renzi, e cila shkaktoi krizën duke tërhequr mbështetjen.
Por bisedimet dështuan dhe presidenti tha se i kishin mbetur vetëm me dy mundësi. Ai përjashtoi zgjedhjet e parakohshme për shkak të pandemisë dhe në vend të kësaj tha se do të ndihmonte formimin e një “qeverie të profilit të lartë që nuk duhet të identifikojë veten me ndonjë parti politike”.
Mattarella ka theksuar urgjencën e krijimit të një qeverie të qëndrueshme për të menaxhuar pandeminë, e cila ka qenë shkatërruese për vendin fqinj.
Krahas numrit të vdekjeve gjithnjë në rritje, ekonomia italiane u tkurr 8.9 përqind në vitin 2020 – tkurrja më e madhe që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Draghi mendohet të jetë zgjedhja e Matteo Renzi për Kryeministër. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë koment nga Draghi, i cili nuk është parë shumë në sytë e publikut që nga viti 2019.
Conte kishte hartuar një plan rimëkëmbjeje prej 220 miliardë eurosh duke përdorur fondet e BE-së, por Renzi e akuzoi se po e përdorte për fitimin e votave, në vend që të adresonte probleme afatgjata.
Mungesa e udhëheqjes politike në javët e fundit kishte shkaktuar shqetësime nëse Roma mund të përmbushte afatin e prillit për të paraqitur planet e saj të shpenzimeve në Bruksel.
Por Draghi, i njohur si “Super Mario”, është cituar prej kohësh nga vëzhguesit politikë si njeriu që m,und të udhëheqë parë Italinë gjatë muajve të ardhshëm.
“Faleminderit president!” tha në Twitter komisioneri i BE-së dhe ish-kryeministri italian Paolo Gentiloni, pasi Mattarella njoftoi planet e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.