Bota

Grusht shteti në Mianmar, ushtria arreston lideren dhe ministrat

Ushtria e Mianmarit ka organizuar një grusht shteti, duke marrë kontrollin e vendit, pasi ka ndaluar lideren de fakto, Aung San Suu Kyi, dhe politikanë tjerë, në orët e para të 1 shkurtit. Televizioni ushtarak ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme do të shpallet për një vit dhe fuqia do të transferohet.

Puçi ka ardhur pas tensioneve në rritje në mes të qeverisë civile dhe ushtrisë, për shkak të zgjedhjeve kontestuese. Mianmari, i njohur edhe si Burma, është udhëhequr nga ushtria derisa kanë nisur reformat demokratike më 2011.

Ushtria ka thënë të hënën se do t’ia dorëzojë pushtetin kryekomandantit, Min Aung Hlaing, për shkak të “mashtrimeve zgjedhore”. Ushtarët është raportuar të jenë në rrugët e kryeqytetit Nay Pyi Taq dhe qytetin tjetër Yangon.

Në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, Aung San Suu Kyi nga Liga Kombëtare për Demokraci, ka fituar mjaftueshëm vende për të formuar qeverinë.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër grushtin ushtarak, duke thënë se Uashingtoni “kundërshton përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit apo të pengojë tranzicionin demokratik në Mianmar”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje për lirimin e gjithë zyrtarëve qeveritarë dhe liderëve të shoqërisë civile, duke thënë se SHBA-ja “është me popullin e Burmas në aspiratat e tyre për demokraci, liri, paqe dhe zhvillim. Ushtria duhet të zmbrapset nga këto veprime menjëherë”.

Në Australi, Ministrja për Punë të Jashtme, Mari Payne, ka thënë se i bën thirrje ushtrisë “për respektim të sundimit të ligjit, për të zgjidhur mospajtimet përmes mekanizmave ligjorë dhe të lirojë menjëherë të gjithë liderët civilë dhe personat tjerë që kanë ndaluar në mënyrë të paligjshme”.

Lidhjet në internet dhe disa shërbime tjera telefonike janë penguar në disa qytete të mëdha, ndërkohë që televizioni shtetëror MRTV, ka thënë se është duke pasur probleme teknike dhe është jashtë transmetimit. Hyrje daljet në kryeqytet janë të ndalura.

Njerëzit janë parë duke tërhequr para të gatshme, pas pritjeve se mund të përshkallëzohet situata në ditët në vijim. Sipas Asociacionit Bankar, të gjithë bankat kanë ndalur përkohësisht të gjitha shërbimet financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë